AKTUALITET, 6 Tetor 2025, 22:38

Nazarko: Nga viti 1992 janë 12 mijë të vrarë për çështje pronash

Nazarko: Nga viti 1992 janë 12 mijë të vrarë për

Analisti Mentor Nazarko, deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, se prej vitit 1992, janë 12 mijë të vrarë për çështje pronash. Ai e cilësoi këtë një problem të madh që duhet të ishte kauzë e PD-së si parti e djathtë, sepse po të kishim patur një ligj të drejtë për pronat, nuk do të kishte kaq shumë viktima.

Biseda

Mentor Nazarko: Figura e gjyqtarit Kalaja ishte e pastër, kishte kaluar vetingun dhe s’kemi arsye që të dyshojmë për padrejtësi që të justifikojë një veprim kaq të egër. Është problemi i madh, që duhet të ishte kauza e të djathtëve, me kthimin dhe kompensimin e pronave. Nëse do të kishim një proces të drejtë, nga një parti e djathtë, apo e qendrës së djathtë si Partia demokratike nuk do të kishim 12 mijë të vrarë. Lista e të vrarëve për çështje pronash, është 12 mijë nga viti 1992 e këtej. Konfliktet pronësore që lidhen me ligjin e pronave është 12 mijë. Nëse do të kishim një ligj të drejtë nuk do të kishim kaq.

Myslim Murrizi: Në këto 35 vite, 13 vjet ka qeverisur PD, 22 ka qeverisur PS, pra dyfish. Këto konfliktet e pronave kanë qenë lokale, por në fund të fundit e gjithë politika është fajtore për pronat, sepse ka vjedhur për vete. Duhet të themi se në 35 vite shqiptarët nuk kanë marrë drejtësi për veten e tyre. Vetingun unë nuk e quaj, se lë shumë për të dëshiruar. Unë e njihja zotin Kalaja që në 2005 se ka qenë pjesë e trupave të Kolegjeve Zgjedhore. Por unë nuk mund të them se të gjithë ata që kanë kaluar vetingun janë të shenjtë.

Mentor Nazarko: Po flas në terma të kanuneve ligjore.

Myslim Murrizi: Ta dish se si është bërë vetingu, besoj se e ke informacionin, vë duart në kokë duke parë që ata që e kanë kaluar janë shumë më të pistë se ata që kanë ikur nga vetingu. 

Mentor Nazarko: Ka një ndjenjë padrejtësie në shoqëri që vjen prej gjykatave të politikës, krijon frustrim social, për privilegjimit të kompanive të mëdha, veprimit të ashpër të shtetit, të gjitha krijojnë një ndjenjë egërsie në shoqëri, të konfliktualitetit.