AKTUALITET, 6 Tetor 2025, 21:46

Vrasja e gjyqtarit, Dervishi shpjegon konfliktin për pronën në Shkodër

Vrasja e gjyqtarit, Dervishi shpjegon konfliktin për pronën në

Gazetari Ferdinand Dervishi, duke folur për kalvarin gjyqësor të pronës që sot çoi në vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja u shpreh se ndërtesa ishte dhënë për 31 familje në vitin 1992 nga këshilli bashkiak i Shkodrës, por më pas kryetari i bashkisë kishte lejuar që të privatizohej, duke nxitur familjen Shkambi që të pretendonte godinën.

"Në vitin 1992 vendimi i Këshillit Bashkiak Shkodër për persona të pastrehë ka dhënë 31 personave hyrje. Kur ka qenë Lorenc Luka kryetar. Më pas ky njeri, Gjon Shkambi, ka thënë e kam pronën të trashëguar dhe e fiton. Më pas këta thonë nuk je shkodran dhe këto janë të falsifikuar.

Lorenc Luka thotë të privatizohet godina. Në 2012, futet në lojë përmbarimi dhe i kthen Shkambit 2 banesa bosh. Të tjerët fillojnë luftën. Në të gjithë këtë histori, janë 23 vjet. Janë rreth 30 gjyqtarë që janë marrë me këtë punë dhe e kanë lënë këtë ngjarje të vejë këtu ku shkoi.

Sigurisht ka një problem, këta njerëz, nuk mund të japësh një vendim, pa zgjidhur problemin e 31 familjeve, sepse është pjesa njerëzore.

Ndërkohë kemi një djalë të ri që rritet me idenë, do të marrim këto shtëpi, do të shesim dhe do të bëjmë para, ka këtë ëndërr që i thyhet. Pushkën nuk ia ka drejtuar gjykatësit, por shtetit dhe drejtësisë"- tha Dervishi.

Dervishi komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Rama që fajësoi mungesën e sigurisë brenda gjykatës për vrasjen e gjyqtarit. Gazetari tha se përgjegjësia është vetëm e qeverisë, sepse armët janë sheshit.

“E ndoqa kryeministrin, më duket sikur flet kundër vetes. Flet për sigurinë e brendshme. Kush e ka këtë? Mungon teknologjia thotë. Pse nuk është teknologjia? Do ta bëjnë të huajt?

Thotë për armët, armët i kemi sheshit. Po shihja përgjimet e Rrumit, ku kishin blerë snajper, kallashnikovë, me çmim që bën një pistoletë, pra armët qenkan sheshit. Ne na u vra gjykatësi, po mirë pse na ndodh kjo, që duhet të ndodhë gjërat dhe pastaj vëmë duart në kokë. Digjet Shqipëria nga zjarret, vëmë duart në kokë. Pse jemi ky shtet, që ndodhin gjërat, vëmë duart në kokë dhe kuptojmë që nuk kemi asgjë.

Ka një nënvizim poshtë, korrupsioni i lidh këto bashkë.”- tha Dervishi.