TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me përfaqësuesit e forcave të Armatosura të Shqipërisë që shërbejnë në misione dhe operacione jashtë vendit në kuadër të NATO-s, BE dhe OKB.
Begaj ka përcjellë një urim me rastin e ndërrimit të viteve ndërsa ka shprehur vlerësim për sakrificën e tyre në këtë periudhë festash që i ka gjetur larg familjeve dhe njerëzve të dashur për shkak se ndodhen në krye të detyrës.
“Shërbimi juaj përkrah aleatëve është një shërbim që përshkohet nga sakrificat, përkushtimi, përgjegjshmëria dhe disiplina e lartë që karakterizon Forcat e Armatosura.” theksoi Presidenti Begaj.
Presidenti tha ndër të tjera se viti 2022 ishte një vit shumë i vështirë, ku agresioni i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës rrezikoi paqen dhe sigurinë në hapësirën euro-atlantike, ndërsa efektet e saj ndihen në jetën e çdo qytetari. Nga ana tjetër, sipas Begajt ky konflikt ka dëshmuar rëndësinë, forcën dhe kompaktësinë e aleancës, e cila është e aftë të mbrojë çdo centimetër të saj dhe vendeve anëtare.
Presidenti Begaj nënvizoi se “si anëtare e NATO-s, vendi ynë do të vazhdojë të kontribuojë në mënyrë aktive në misione dhe operacionë të drejtuara nga NATO si dhe do të rrisim kontributet tona aty ku do të jetë e nevojshme dhe do të na kërkohet,” nënvizoi Presidenti Begaj.
“Këto ditë kam ndjekur me shqetësim ngjarjet në veri të Kosovës. Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s është e përkushtuar dhe mbështet misionin e KFOR, që ne e cilësojmë si një histori suksesi. Unë ju falenderoj ju kontigjent që jeni atje, për të gjithë përkushtimin e treguar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë”, theksoi Presidenti.
“Forcat e Armatosura janë shumë të rëndësishme për një vend dhe unë sot nëpërmjet jush gjej rastin të falënderoj të gjitha Forcat e Armatosura shqiptare për përkushtimin e treguar në përmbushjen e çdo detyre kushtetuese, por edhe në përballimin e atyre situatave të cilat kanë qenë jo të pakta gjatë vitit, si emergjencat e ndryshme,” shtoi më tej Presidenti.
“Për mua, ju jeni aseti më i çmuar i Forcave të Armatosura. Mund të marrim pajisje mjaft të mira teknologjike, por nëse nuk kemi njerëz për t’i përdorur ato nuk kemi bërë asgjë. Me këtë rast edhe njëherë ju uroj festa të gëzuara, shëndet e mbaresi për ju dhe familjet e juaja. Gëzuar Vitin e Ri 2023, shumë faleminderit për shërbimin që i bëni kombit,” e mbylli përshëndetjen e tij Presidenti Begaj.