AKTUALITET, 31 Dhjetor 2022, 14:02

500 euro për 'kokë', i riu nga Durrësi kapet me 23 emigrantë në furgon

500 euro për 'kokë', i riu nga Durrësi kapet me 23

E. K., 32 vjeç, banues në Durrës, është vënë në pranga pasi është kapur duke transportuar 23 emigrantë drejt Malit të Zi.

Në njoftimin e policisë bëhet me dije se 32 vjeçari i kishte marrë 500 euro çdo emigrant, në mënyrë që tu garantonte kalimin në kufi.

Por, në autostradën "Milot-Morinë", në vendin e quajtur Rrubik, policia ka pikasur 32-vjeçarin teksa udhëtonte me furgon dhe e ka ndaluar për kontroll.

Brenda në mjet ka gjetur emigrantët. I riu akuzohet për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Njoftimi i policisë/ Lezhë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Sinjali”, për goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve, kundrejt pagesës, për të kaluar kufirin paligjshmërisht. Operacioni, rezultat i punës së koordinuar të shërbimeve të Njësisë së Policisë Rrugore për Sigurinë e Autostradës " Milot - Morinë" dhe atyre të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Lezhë e Komisariatit të Policisë Mirditë.

Transportonte me një furgon mallrash, 23 emigrantë, kundrejt 500 eurove/person, për të kaluar kufirin në kundërshtim me ligjin, kapet në flagrancë në Rrubik, dhe vihet në pranga 32-vjeçari.

Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë të shërbimeve të Njësisë së Policisë Rrugore për Sigurinë e Autostradës " Milot - Morinë" dhe specialistëve të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Lezhë e Komisariatit të Policisë Mirditë, për të parandaluar dhe për të goditur dhënien ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalimin e paligjshëm të kufirit, të mbështetur nga inteligjenca informative, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Sinjali”.

Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e policisë, në autostraden " Milot - Morinë", në vendin e quajtur Rrubik, kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin tip furgon i mbyllur, i përshtatshëm për transport mallrash, me drejtues shtetasin E. K.

Pas kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në këtë automjet janë gjetur 23 emigrantë nga vendet MENA, të cilët 32-vjeçari po i transportonte kundrejt 500 eurove/person, drejt Malit të Zi, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit. Në përfundim të veprimeve për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi E. K, 32 vjeç, banues në Durrës.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe një aparat celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.