AKTUALITET, 11 Gusht 2023, 10:14

Ministria e Brendshme marrëveshje me Universitetin e Tiranës për punësimin e studentëve, Balla: Janë 100 vende të reja për oficerë

Ministria e Brendshme marrëveshje me Universitetin e Tiranës për

Ministria e Brendshme ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës për punësimin e studentëve në strukturat e Policisë se Shtetit.

Gjatë takimit me pedagogë e drejtues të Universitetit të Tiranës, Balla u shpreh se trupa e policisë ka nevojë të rinovohet.

Ndaj, ministri, nënvizoi se do të dërgojë në Kuvend disa ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit, i cili do të lehtësojë procesin e rifreskimit të organizatës së policisë.

 “Jam sot këtu në Universitetin e Tiranës pikërisht për të  planifikuar së bashku një të ardhme të afërt të Policisë së Shtetit, e cila synon një ndryshim dhe patjetër theksi shkon te vetëpastrirmi i radhëve të Policisë. Brenda strukturës së policisë ne tashmë po krijojmë mekanizma, të cilët synojnë të promovojnë njerëz me integritet të lartë moral dhe profesional.

Sfida për një rritje cilësore të nivelit profesional dhe trajnimin e vazhdueshëm të punonjësve të Policisë së Shtetit është po ashtu një sfidë e hapur. Sfida për të pastruar Policinë e Shtetit ka hyrë natyrshëm në një fazë të re, e cila natyrshëm kërkon edhe partneritete me institucione që prodhojnë kuadro me nivel të mirë dhe cilësor arsimor.”, tha Balla.

Aktualisht në tetë qarqe të vendit janë çelur aplikimet për t’u futur në Akademinë e Sigurisë, të studentëve që kanë përfunduar të dy ciklet e studimeve në fusha: drejtësi, ekonomi dhe IT, me mesataren 8 e sipër.

Janë 100 vende për t’u plotësuar në Policinë Kriminale, të cilat do të përzgjidhen nga ky kontingjent studentësh universitarë.