AKTUALITET, 10 Gusht 2023, 22:33

Projekti 8 milionë euro në kalanë e Tepelenës, banorët: Ndërhyrje selektive dhe sipërfaqësore, u fshinë gjurmë të rëndësishme historike

Projekti 8 milionë euro në kalanë e Tepelenës, banorët:

Në Tepelenë kalaja historike e Ali Pashës gjendet në fazën e fundit të ndërhyrjeve stabilizuese e rijetëzuese si pjesë e një projekti të Fondit Shqiptar të Zhvillimit me vlerë rreth 8 milionë euro.

Projekti më i madhi që është zbatuar ndonjëherë në Tepelenë synonte përmirësimin e hapësirës publike brenda kalasë, ndërtimin e rrjetit të rrugëve të brendshme, sinjalistikës, fasadave të banesave përfshi çatitë, dyert e dritaret për t'i integruar këto ndërtime kaotike brenda një konteksti të ri urban me fokus turizmin.

Megjithëse transformimi gjatë fazës së fundit të projektit është i dukshëm projektuesit dhe zbatuesit, sipas banorëve, të pyetur nga "Top Channel" nuk kanë marrë parasysh problemet e thella strukturore të mureve të banesave duke kryer ndërhyrje selektive dhe sipërfaqësore mbi to si dhe nuk kanë konsideruar nevojat për ndërtimin e bujtinave dhe mjediseve të tjera të shërbimit dhe rekreacionit. Ata kërkojnë që të mbikqyret me vëmendje kjo fazë finale pasi mund të jetë përcaktuese për zhvillimin e mëtejshëm turistik të kalasë.

Edhe aspekte historike që kërkonin ndërhyrje restauruese dhe stabilizuese përfshi edhe gërmime arkeologjike në kalanë e hershme para Ali Pashës nuk kanë qenë në vëmendjen e këtij projekti. Projekti rijetëzues ka fshirë me ndërhyrjet gjurmë të rëndësishme historike në shumë pjesë të kalasë përfshi zonën e sarajeve, kalanë bizantine, veprat publike.

Projekti 8 milionë euro në kalanë e Tepelenës, banorët:

Kalaja e Tepelenës u rindërtua  prej Ali Pashës në vitin 1819 dhe ishte rezidenca e tij e dytë pas asaj të Janinës. Kalaja ka një sipërfaqe  prej 4-5 ha dhe ka tre kulla mbrojtjeje.

Sipas të dhënave historike në brendësi të këtij fortifikimi deri në vitin 1940 ka patur 15 saraje. Objekti historik u popullua masivisht nga rreth 160 familje, menjëherë pas vitit 1944, ndërsa fizionomia e banesave ka ndryshuar tërësisht duke sjellë transformime të parikthyeshme të elementëve tradicionale.

Tre javë më parë, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë, ngriti shqetësimin se rijetëzimi do ta shndërrojë Kalanë në një qendër komerciale dhe është bërë pa konsultimin e grupeve të interesit.

“Ky është projekti i Kalasë së Ali Pashës në Tepelenë, i përgatitur në kuadër të një rivitalizimi që do t'i bëhet një nga kalave më të njohura në Shqipëri. Projekti i një studioje nga Tirana, qe mesa duket do ta ktheje kalanë në një qendër tregtare dhe jo trashëgimie, nuk është konsultuar me autoritet vendore dhe ekspertët e trashëgimisë apo qytetarët e Tepelenës”, shkruante Forumi.