AKTUALITET, 17 Shkurt 2022, 21:47

Meta: Drejtësia mbetet e kapur nga Rama, por Kushtetuesja nuk kishte çfarë të bënte

Meta: Drejtësia mbetet e kapur nga Rama, por Kushtetuesja nuk kishte

Edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e la në detyrë, Presidenti i Republikës Ilir Meta thotë se sistemi i drejtësisë mbetet i kapur nga mazhoranca. Pyetjes se si ndodhi atëherë që Gjykata Kushtetuese i dha atij të drejtë dhe jo Kuvendit, Meta iu përgjigj se nuk kishte kryer asnjë shkelje.

“Drejtësia është e kapur nga Rama. Nuk ka lidhje kapja e drejtësisë me vendimin e Kushtetueses për mua. Rezervat tona për procesin ne i kemi bërë zyrtare.

Ky ishte hetimi i tretë kundër meje. E gjitha është kjo një maskaradë politike, ekonomike dhe financiare për të shmangur vëmendjen nga afera e inceneratorëve dhe shumë skandale të tjera.

Kërkesa për shkarkim nga Parlamenti ka qene shantazh ndaj Presidentit, për qëndresën që ai ka bërë për mos kapje të shtetit. Kjo kërkesë ka qenë e paligjshme dhe në formë hakmarrje e mazhorancës ndaj Presidentit të Republikës.

Kjo është një lojë e mbaruar dhe e fituar. Nuk ka pasur asnjë shkelje të rëndë të Kushtetutës siç mund të jetë nxjerrja e ndonjë sekreti, apo të vësh në diskutim sovranitetin territorial të vendit”, tha Meta në RTSH 24.