AKTUALITET, 17 Shkurt 2022, 21:15

"Basha ka model autokratik, emëron dhe komandon"/ Bardh Spahia: Në PD-në e Shkodrës nuk ka çarje, ne fitojmë!

"Basha ka model autokratik, emëron dhe komandon"/  Bardh Spahia:
Bardh Spahia dhe Lulzim Basha

Bardh Spahia, kandidati i koalicionit "Shtëpia e Lirisë" për Bashkinë e Shkodrës, ka qenë i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku ka shpjeguar përse kandidon dhe si pritet të jetë gara për këtë qytet, i cili tradicionalisht ka qenë i drejtuar nga e djathta. 

Spahia tha se dëshiron të angazhohet për qytetin e tij, ndërsa bëri krahasimin midis modelit Basha në PD, që i cakton kandidatët vetë dhe primareve që mbajti grupi Berisha. 

"Si mund të quhesh Shkodran nëse nuk merr dot përsipër të angazhohesh për Shkodrën dhe të bësh beteja? E mora këtë vendim edhe për historikun familjar dhe faktin se kam kaluar pjesën më të madhe të jetës time në Shkodër. Që në rini kam qenë i lidhur ngushtë me politikën. Ju përgjigja pozitivisht thirrjes së anëtarësisë së Partisë Demokratike. Thirrje që erdhi si rezultat i atij procesi të jashtëzakonshëm, që ne i quajtëm primare.

Kemi modelin e zotit Basha, që mban vulën dhe selinë, model autokratik, me komandime dhe emërime. Nga ana tjetër, kemi modelin e përfaqësuar nga zoti Berisha me primare. Me sa duket ishim në një moment kur demokratët kërkonin të dilnin përtej imponimeve individuale dhe të shkonim te vota e lirë e gjithësecilit", tha Spahia. 

I pyetur nëse partia është e përçarë në Shkodër, Spahia deklaroi se PD e Shkodrës është kompakte. 

"Kjo çarje edhe pse e vogël, më shtyu më shumë të bëhem pjesë e kësaj gare. Nuk besoj se ka një çarje të madhe. Sidomos në PD-në e Shkodrës ka një kompaktësi të madhe, shifrat flasin vetë", tha Spahia.