AKTUALITET, 1 Dhjetor 2025, 10:09

Mesazh udhëtarëve/ Fermerët grekë në protesë, rruga Kakavijë-Janinë do të bllokohet nga 11:00-17:00! Do të lejohen vetëm mjetet që kanë emergjenca

Mesazh udhëtarëve/ Fermerët grekë në protesë,

Lëvizja në aksin rrugor Kakavijë-Janinë do të bllokohet sot nga ora 12:00 deri në orën 18:00 (me orën greke), si pasojë e protestave të fermerëve grekë që po zhvillohen në të gjithë vendin.

Autoritetet kufitare në Kakavijë u kanë bërë thirrje udhëtarëve të planifikojnë lëvizjet në orare alternative, për të shmangur problematikat që mund të shkaktohen nga bllokimet e vazhdueshme në territorin grek. Ndër të tjera ata theksojnë se do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.

Protestat e fermerëve grekë pritet të zgjasin deri më 5 dhjetor, ndërsa ata kanë paralizuar segmente të rëndësishme rrugore, porte dhe pika doganore në të gjithë Greqinë. Fermerët po protestojnë ndaj pagesave të vonuara, mungesës së dëmshpërblimeve, kostove të larta të prodhimit dhe çmimeve të ulëta të produkteve bujqësore.

Njoftimi i policisë:

Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 12:00 deri në orën 18:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në fshatin Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët.

Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.

Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.