AKTUALITET, 14 Nëntor 2022, 13:58

Merr vendin e Boçit në parlament nëse ai fiton në primaret e Elbasanit, reagon kandidati i PD: Jam demokrat i orëve të para!

Merr vendin e Boçit në parlament nëse ai fiton në primaret
Qani Xhafa dhe Luçiano Boçi

Qani Xhafa është demokrati që pritet të zërë në parlament vendin e Luçiano Boçit në rast se ai shpallet fitues në primaret e PD për Bashkinë e Elbasanit.

Ai ka folur për News 24 për herë të parë pas shpalljes së kandidaturës nga ana e Boçit duke theksuar se të zëvendësosh atë është një përgjegjësi e shumëfishtë duke e konsideruar Boçin personalitet të rëndësishëm.

“Së pari uroj që bashkimi i të gjithë demokratëve të jetë sa më i shpejtë. Do të jem përfaqësues dinjitoz e Qarkut të Elbasanit në Parlament dhe do të mbështes fuqishëm kandidatin për kryebashkiak të Elbasanit Luçiano Boçi.

Shpresoj se do ndodhë më e mira për të djathtën në të ardhmen. Jam demokrat i orëve të para dhe rrugëtimi im në politikë ka qenë i mbushur plot vështirësi por edhe me suksese .

Jam i bindur që edhe në këtë etapë të re të zhvillimeve politike te PD sukseset nuk do të mungojnë duke filluar së pari me bashkimin e shumëpritur dhe me fitoren e zgjedhjeve vendore.

Është mandati që PD e meritonte që në 25 Prill. Të zëvendësosh Boçin është përgjegjësi e shumëfishtë. Ai është personalitet mjaft i rëndësishëm, jo vetëm i PD, por i politikës shqiptare”, tha Xhafa