AKTUALITET, 3 Gusht 2023, 20:50

Media shtetërore iraniane: Shqipëria i ndalon hyrjen lideres së muxhahedinëve

Media shtetërore iraniane: Shqipëria i ndalon hyrjen lideres së
Maryam Rajavi

Maryam Rajavi-t, lideres së muxhahedinëve iranianë i është refuzuar hyrja në Shqipëri, raportoi sot media iraniane.

Sipas agjencisë së lajmeve me bazë në Iran, Tasnim News, është Gjykata Speciale në Shqipëri ajo që ka nxjerrë një urdhër për ndalimin e hyrjes së Rajavit në vendin tonë. Ajo qëndron prej vitesh në Francë, aty ku strehohet një tjetër numër i madh muxhahedinësh.

Më herët gjatë këtij viti, marrëdhëniet mes muxhahedinëve dhe shteteve që i strehojnë si Shqipëria, Franca dhe SHBA që i përkrah, u krisën pas kontrolleve të policisë në vendstrehimet e tyre.

Në Shqipëri, Policia organizoi një aksion të madh kontrolli në Manëz të Durrësit, ku u sekuestruan dhjetra pajisje elektronike që përdoreshin nga anëtarët e MEK. SPAK dyshon se ata kanë kryer sulme kibernetike ndaj Iranit nga baza e tyre në Manëz.

Po ashtu në Francë, autoritetet i mohuan muxhahedinëve disa kërkesa të njëpasnjëshme për organizime protestash.