AKTUALITET, 6 Prill 2022, 15:21

"Më solli në zyrë një person për negociata!/ Ambasada e SHBA reagon pas deklaratave të Sali Berishës

"Më solli në zyrë një person për negociata!/
Yuri Kim dhe Sali Berisha

Ambasada e SHBA-ve, ka reaguar sërish lidhur me shpalljen non-grata të Sali Berishës. 

Në një prononcim për News24, ambasada thotë se shpallja non grata për korrupsion madhor, nuk mund të negociohet. 

Reagimi vjen pasi Berisha bëri deklaratën e fortë, gjatë një dalje televizive, kur tha se ambasadorja Kim i ka dërguar në zyrë një person për të negociuar tërheqjen e tij nga kandidimi për kryetar të PD.  

"Pozicioni i SHBA në lidhjet me shpalljet “non grata” për korrupsion madhor mbetet i qartë dhe nuk mund të negociohet”, sqaron ambasada.

Një ditë më parë Berisha tha se një person i dërguar nga Kim, i kërkoi që të hiqte dorë provizorisht nga gara për kryetarin e PD-së, ndërsa i kishte garantuar edhe largimin e Bashës.

“Kjo ishte shkelje e parimeve themelore mbi të cilat bazohet demokracia, e statusit të saj por ishte dhe përpjekje e dështuar e radhës e zonjës për të përcaktuar kreun e PD-së. Unë dua t’i njoh qytetarët shqiptarë dhe demokratët në veçanti se pas zgjedhjeve të 6 marsit guvernatorja Kim dërgoi në zyrën time një person me propozimet e saj. Propozime që konsistonin që unë të hiqja dorë provizorisht nga gara për kryetar të PD-së, të caktoja cilindo njeri që doja unë dhe atë provizorisht dhe më pas mund të kandidoja vetë për kryetar, duke paraqitur garanci të plotë se Basha do të largohej dhe do të pranonte vendimet. Përgjigjja ime ishte një refuzoj në mënyrë kategorike çdo ndërhyrje tuaj zonjë në problemet e brendshme të PD, refuzoj dhe kërkoj në mënyrë të prerë që të mos ndërhyni në zgjedhjen e forumeve dhe kryetarit të PD-së sikundër jashtë çdo dyshimi që unë mund të pranoj ndërhyrje të tilla”, tha Berisha në A2.