TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj, tha se SPAK po nxiton të dërgojë në gjyq çështjen ndaj ish-kryeministrit pasi ka frikë se mbaron afati i paraburgimit.
Pasi Berisha u mor sërish i pandehur, ai dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, bënë sërish kërkesë për shfuqizim të masës së sigurisë “arrest shtëpie”, por Gjykata e Posaçme këtë të premte e hodhi poshtë kërkesën e tyre.
“Ne jemi në pritje, sepse u bë komunikimi i akuzës por nuk kemi bërë shpjegime. Pa u njohur me aktet nuk mund të japim shpjegime”, tha Gjokutaj për mediat pas vendimit të gjykatës.
I pyetur nëse ka llogaritur kur përfundon afati i masës së sigurisë, Gjokutaj tha: “Matematika, kur mbarojnë, nuk është sekret hetimor, por diskrecion i mbrojtjes. Afatet e paraburgimit me afatet e hetimit janë dy gjëra të ndryshme. Këta nxitojnë sepse i detyron masa e sigurimit, e kufizimit të lirisë, se kanë frikë se u skadon, shuhet masa për shkak të kalimit të afatit tërësor. Dhe nxitojnë. Në rastin e Berishës këta besoj do të nxitojnë. Në raste të tjera, si rasti i Dakos, këta nuk nxituan dhe u shkau nga dora”.
Gjokutaj shprehu rezerva edhe për dosjen e SPAK. “Nuk kam parë dosje penale që një person të jetë nën hetim, nën akuzë dhe të mos përmendet me emër. Në funksion të kësaj akuze ka vetëm mbledhje letrash, kontratash. Vepra penale korrupsion kërkon prova. Ta kthesh interpretimin tënd për ta çuar në gjyq, në provë, kjo nuk ka bërë vaki”, tha Gjokutaj.
Avokati i Berishës gjithashtu tha se kryetari i Partisë Demokratike nuk ka rrezik të prishë provat. “Provën e provës që ai nuk prish provat janë 3 muajt që ai ka qenë në gjendje të lirë pas tetorit. Asnjë dëshmitar nuk është intimiduar, asnjë zyrë nuk është marrë në telefon dhe asnjë dokument nuk është penguar për t’u administruar”, tha ai.