AKTUALITET, 26 Janar 2024, 11:07

Mbylli në banesë familjarët dhe kërcënoi se do t’i vriste me sëpatë, arrestohet 66-vjeçari në Tiranë

Mbylli në banesë familjarët dhe kërcënoi se do

Brenda 12 orëve të fundit, parandalohet një tjetër ngjarje kriminale në familje. Kapet dhe vihet në pranga një shtetas, pasi kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe mbrëmjen e djeshme, e kishte mbyllur atë në banesë, së bashku me familjarët, duke i kanosur se do t’i vriste, me mjet prerës (sëpatë).

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas marrjes së njoftimit për një shtetas që kishte mbyllur në banesë, familjarët e tij (bashkëshorten me nipërit dhe mbesat), në rrugën “Pavarësia”, menjëherë kanë organizuar punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale, dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar përpara përgjegjësisë penale.

Si rezultat i veprimeve të shpejta, u arrestua në flagrancë shtetasi R. S., 66 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetasi R. S., mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:30, në rrugën “Pavarësia”, ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes, e ka mbyllur atë në banesë, së bashku me nipërit dhe mbesat, dhe i ka kanosur ata me mjet prerës sëpatë, që të mos lajmëronin Policinë.

Mjeti prerës (sëpatë) u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.