AKTUALITET, 10 Nëntor 2023, 13:55

Mbushën Kuvendin me tym, PS kërkon përjashtimin e 3 deputetëve të opozitës: Korreshi mori tymueset nga çanta e Hotit dhe Metaliajt

Mbushën Kuvendin me tym, PS kërkon përjashtimin e 3
Sajmir Korreshi

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për të marrë masë disiplinore për 3 deputetë të opozitës, Sajmir Korreshin, Elda Hotin dhe Lindita Metaliajn për ngjarjet e seancës parlamentare të 9 nëntorit. 
Në kërkesën e drejtuar kryetares së Parlamentit, socialistët i bëjnë 3 deputetët për pengimin e zhvillimit të një seancë normale parlamentare. 

“Situata e përsëritur në çdo fillim seance plenare nga deputetë të opozitës duke penguar zhvillimin e rregullt të saj është e pa tolerueshme...Situata në sallën plenare u përkeqësua akoma më shumë kur deputeti Saimir Korreshi u pa të merrte disa tymuese nga çantat e dy zonjave deputete Elda Hoti dhe Lindita Metaliaj, duke i ndezur ato dhe duke e bërë të pamundur dhe të vështirë zhvillimin normal të rendit të ditës dhe diskutimet e deputetëve të regjistruar”, thuhet në kërkesën e socialistëve.

Grupi parlamentar i PS kërkon mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën që të përcaktojnë se cila është masa disiplinore që duhet marrë në këtë rast.