AKTUALITET, 22 Gusht 2022, 22:01

Mbetën të bllokuar në kanionin e Langaricës, shpëtohen katër turistët gjermanë

Mbetën të bllokuar në kanionin e Langaricës, shpëtohen

Katër turistët që mbetën të bllokuar në kanionin e Langaricës, në Përmet, janë nxjerrë nga autoritetet.

Policia njofton se katër turistëve gjermanë u është ofruar ndihmë mjekësore, ku aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Falë punës së mirorganizuar dhe bashkëpunimit me shërbimet e tjera, punonjësit e Policisë kanë bërë të mundur nxjerrjen e 4 turistëve nga terreni i vështirë ku ishin bllokuar, të cilëve, më pas, u është ofruar asistenca mjekësore. Aktualisht të 4 turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore” – thuhet në njoftimin e policisë.

Turistët gjermanë mbetën të bllokuar në vendin e quajtur “Gropa e Priftit”. Shkak është bërë dalja nga shtrati i lumit Langaricë si rezultat i reshjeve të shiut.

Më datë 22.08.2022, në vendin e quajtur “Kanioni i Langaricës”, 4 turistë gjermanë, duke eksploruar me këmbë zonën, kanë mbetur të bllokuar në pjesën e kanionit, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin e Langaricës, nga reshjet e shiut.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet dhe shërbimet zjarrfikëse, janë nisur në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët.