AKTUALITET, 18 Dhjetor 2023, 16:54

Marrëveshja Rama-Meloni, ministri italian: Respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Marrëveshja Rama-Meloni, ministri italian: Respektojmë vendimin e

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani do të vizitojë Tiranën gjatë javës, për të diskutuar me autoritetet shqiptare mbi marrëveshjen për strehimin e emigrantëve. “Më 22 dhjetor do të jem në Shqipëri, ku do të takohem me kryeministrin Rama”, ka deklaruar Tajani në një takim me ambasadorët e Italisë, të mbledhur në selinë e Ministrisë së Jashtme në Romë.

Shefi i diplomacisë italiane do të vizitojë vendet ku do të ngrihen qendrat për pritjen e emigrantëve, të cilët do të riatdhesohen në vendet e origjinës, në kuadër të marrëveshjes Rama-Meloni.

“Qeveria italiane nuk është e shqetësuar për pezullimin e ratifikimit dhe në çdo rast ekziston vullneti për të mos ndërhyrë në vendimet e Gjykatës Kushtetuese shqiptare”, ka deklaruar Tajani.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ministri i Jashtëm i vendit fqinj do të vizitojë edhe oficerët e Guardia di Financa të vendosur në vendin tonë në kuadër të politikës së jashtme italiane, të cilët mes të tjerash do t’i vlerësojë për punën e bërë dhe do t’i urojë për festat e fundvitit. Më datë 13 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pezulloi ratifikimin e akordit italo-shqiptar, pas kërkesës së bërë nga Partia Demokratike dhe mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha.