AKTUALITET, 14 Maj 2023, 23:13

"Manipulim dixhital monstruoz", Sali Berisha nuk njeh rezultatin në Kamzë

"Manipulim dixhital monstruoz", Sali Berisha nuk njeh rezultatin

Duket se koalicioni “Bashkë Fitojmë” nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve, të paktën në ato bashki ku numërimi është bërë në mënyrë elektronike, Kamzë, Vorë dhe Elbasan.

Në një deklaratë për mediat, Sali Berisha nga selia blu u shpreh se në Kamzë është bërë një manipulim dixhital monstruoz.

Por sipas tij ka indicie se i njëjti problem është shfaqur edhe në bashkitë e tjerë, por theksoi se ato do të duhet të faktohen.

“Të dhënat e besueshme, dëshmojnë se Kamza është manipulim dixhital monstruoz. PD në vitin 2021 ka qenë dhjetë mijë vota para PS. Në pollin më të saktë të 13 viteve të fundit i bërë në fund të shkurtit, PD me PL ishin 14 % para PS ndërkohë që manipulimi dixhital e nxjerr sot PS 10 mijë vota para këtij koalicioni. Kjo pra është absolutisht një rezultat totalisht i gatuar në mënyre dixhital dhe hidhet poshtë me vendosmërinë më të madhe.

Kamza është shtuar nga qeveria pa aprovimin e askujt dhe në kundërshtim me kërkesat për tu votuar në mënyrë dixhitale. Rezultatet janë të manipuluara.

Kur them për Kamzën problemi dixhital është totalisht në diskutim dhe dyshim të plotë, Kamza fakton gjithçka, cdo gjë.

Kemi patur të dhëna. Kemi indicie që sistemi është vendosur në kontroll të dyfishtë, por duhet faktuar kjo”, theksoi Berisha.