AKTUALITET, 14 Maj 2023, 21:53

Humbi thellë në tre bashki, Berisha del në konferencë urgjente: Rama donte të vriste sot Salvador Kaçajn

Humbi thellë në tre bashki, Berisha del në konferencë

Sali Berisha ka dalë në një konferencë për shtyp, pas shpalljes së rezultatit në tre bashki të vendit ku koalicioni "Bashkë Fitojmë", i drejtuar prej tij dhe Ilir Metës ka marrë rezultat dramatik. 

Megjithatë, Berisha nuk u ndal tek këto rezultate, por denoncoi një atentat, që sipas tij ka ndodhur ndaj Salvador Kaçajt në Lezhë. Sipas Berishës, ky atentat është organizuar nga Edi Rama dhe Pjerin Ndreu për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve në Lezhë.  

"Fushata elektorale është karakterizuar nga akte dhune, terrori, të papara ndaj përfaqësuesve, zyrtarëve, deputetvë të koalicionit Bashkë Fitojmë të Partisë Demokratike. Siç keni konstatuar, kemi ndjekur një linjë, duke regjistruar çdo akt terrori, çdo akt dhe përpjekje për blerje masive të votave, të proporcioneve të paimagjinueshme deri në oferta sot në mëngjes, “thuaj sa do euro”… Kemi informuar vëzhguesit ndërkombëtarë, KQZ, organet.

Dola para jush për një rast kriminal të jashtëzakonshëm, ku Salvador Kaçajt, një nga eksponentët kryesorë të PD në Lezhë, ish kryetar i Bashkisë së Shëngjinit, njeri me një reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën e sportit, e kanë ndjekur dy makina pa targa, ku ka qenë bashkë me djalin e vetë dhe shoferin, persona të maskuar dhe të armatosur kanë dalë nga makina dhe janë bërë gati të qëllojnë mbi ta.

Shoferi i Salvadorit, një ish gardist i sprovuar, ka arritur të manovrojë me makinë dhe ti bëjë të pasigurtë në atentatin e tyre. Ata e kanë ndjekur mbrapa me qëllim që me armë në dorë ti vrisnin, nuk kanë arritur por të gjitha këto janë të filmuara.

Unë mund t’ju them se dje dhe pardje, bandat e Pjerin Ndreut, kanë terrorizuar zonë pas zone, rrethin e Lezhës. E kanë bërë këtë akt, në shoqërim nga policia e cila kalonte afër dhe as ju thoshte, përkundrazi krijonte përshtypjen sikur po bënte sigurimin e banditëve.

Ky akt është vepër kryekëput e Edi Ramës dhe Pjerin Ndreut. Edi Rama, siç e dini, u mor personalisht me Salvadorin në fjalimin e tij në Lezhë, në një kohë kur Salvadori përveç mbështetjes së kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, ka zbatuar rregullat dhe ligjet elektorale.

Ky akt, është një krim i shëmtuar, personalisht i Edi Ramës dhe Pjerin Ndreut, me të cilin kanë synuar me çdo kusht dhe çmim të ndryshojnë rezultatin në Lezhë. Natyrisht, të eleminojnë fizikisht një kundërshtar të shpallur nga Edi Rama si njeri i rrezikshëm për rezultatin elektoral të tij në qarkun e Lezhës. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt", tha ndër të tjera Berisha.