AKTUALITET, 2 Shtator 2024, 12:53

Lirimi i Belerit, i vëllai flet për mediat greke: Drejtësia do të vendoset kur të shfajësohet nga gjykatat europiane

Lirimi i Belerit, i vëllai flet për mediat greke: Drejtësia do

Gjykata e Shkallës së Parë të Fierit pranoi këtë të hënë kërkesën e eurodeputetit, Fredi Beleri, për lirimin nga burgu.

Beleri, i cili qëndroi në burg për 16 muaj, kishte bërë kërkesën për lirimin nga qelia në muajin korrik pasi kishte kryer 2/3 e dënimit.

Pas vendimit të gjykatës, Fredi Beleri është transferuar në burg për përmbylljen e procedurave dhe pritet të lirohet rreth orës 16.00. Bëhet me dije se dhjetëra banorë të Himarës do të presin jashtë burgut Belerin, ku do të festojnë lirimin e tij.

Duke folur për mediat greke, vëllai i Fredi Belerit, Leonardo, e cilësoi lirimin si një zhvillim pozitiv, por tha se drejtësia do të vendoset atëherë kur gjykatat europiane të vërtetojnë pafajësinë e tij.

“Sigurisht që drejtësia do të jetë kur ai të shfajësohet nga gjykatat europiane ku do të vërtetohet pafajësia e tij. Plani që u krijua nga regjimi i Ramës me të vetmin synim për të kapur bashkinë e Himarës ishte shumë i dukshëm”, shtoi ai.