AKTUALITET, 2 Shtator 2024, 12:07

U lirua nga burgu, Beleri do t’i drejtohet Himarës. Pritet edhe një miting ku eurodeputeti do të mbajë fjalim

U lirua nga burgu, Beleri do t’i drejtohet Himarës. Pritet edhe

Gjykata e Fierit mori sot (2 shtator) vendimin për të liruar me kusht nga burgu Fredi Belerin, duke pranuar kështu kërkesën e tij.

Fredi Belerit i kishin mbetur edhe gjashtë javë për të përfunduar dënimin.

Ndërkohë mësohet se pasi të lërë qelinë, Fredi Beleri do t’i drejtohet qytetit të Himarës, ku edhe do të mbajë një fjalim para mbështetësve të tij.

“Gjykata pranoi kërkesën tonë, urdhëroi lirimin para kohe. I kishin mbetur 6 javë për të bërë. Respekte për gjykatën.  U tregua e pavarur. I kishin mbetur edhe dy muaj. Pronari që i ka çelësat e burgut dha leje pas zgjedhjeve që të dali”, tha avokati i tij, pas vendimit.

Ish-kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës, ndodhej në qeli që prej 12 majit të vitit 2023, dy ditë para zgjedhjeve, pasi u akuzua për korrupsion në zgjedhje.

Kujtojmë që në muajin korrik, miratoi kërkesën duke i dhënë leje Fredi Belerit për të shkuar në Strasburg për t’u betuar si eurodeputet.