AKTUALITET, 29 Janar 2024, 17:55

Ligji për arbitrazhin ndryshon klimën, përfaqësuesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë: Shmang procedurat burokratike

Ligji për arbitrazhin ndryshon klimën, përfaqësuesi i

Ligji i ri i arbitrazhit është parë si një ndryshim pozitiv dhe do të nxisë besueshmërinë e investimeve të huaja. Megjithatë probleme me informalitetin dhe ndryshimi i shpeshtë i politikave fiskale mbeten ende faktorë të cilët dekurajojnë bizneset e huaja të vijnë në Shqipëri.

Ligji i ri për Arbitrazhin do të shërbej për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis bizneseve, pa shkuar tek dyert e gjykatave por sidomos që të rrisë klimën e mirëbesimit të bizneseve të huaja të cilat duan të investojnë në Shqipëri.

“I jep një mënyrë efektive për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të biznesit. Në veçanti në lidhje me mosmarrëveshje në mënyrë të shpejtë. Eviton procedurat e gjata në gjykatat përkatëse”, tha Neritan Mullaj, përfaqësues i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

“Ky proces ka qenë proces i gjatë ku janë përfshirë shumë ekspertë dhe institucionet ndërkombëtare, në mënyrë që të kemi një ligj sa më të plotë që të garantoj klimën e mirë të biznesit dhe thithjet e investimeve të huaja në Shqipëri”, tha Mullaj p%r EuroNews.

Për përfaqësuesin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Neritan Mullaj, edhe pse ligji nuk lidhet drejtpërdrejt me korrupsionin, është gjithsesi një instrument për të garantuar neutralitetin.

“Nuk lidhet me antikorrupsioni por garanton disa benefite për bizneset: neutralitetin e arbitrazhit. U mundëson palëve të zgjidhin mosmarrëveshjet e biznesit. Që në momentin e kontraktimit kanë mundësi që të përfshijnë marrëveshje ku do shkojnë në arbitrazh dhe cilët arbitra do të zgjidhin kontratat e tyre. Kjo është më e rëndësishmja. Shmangia e proceseve gjyqësore dhe zgjidhja efikase e shpejtë veçanërisht për investitorët e huaj.

“Pavarësia e gjykatës së arbitrazhit është gjithashtu e rëndësishme sepse nxit besueshmërinë e procesit, i bën të përdorin të gjitha këto instrumente para se të shkojnë në gjykata të shkallës së parë apo të apelit.”

Megjithatë, çështjet të lidhura me informalitetin dhe ndryshimet e shpeshta të politikave fiskale brenda vitit janë ndër faktorët që ende ndikojnë në pengesa për investitorët e huaj.

“Pjesa e taksave, çështjet fiskale është e rëndësishme, fuqia punëtore, proceset e prokurimit publik

Në qoftë se ne brenda vitit ndryshojmë disa ligje të cilat i imponojnë bizneset, taksa të reja, këto i prishin planet biznesit. E riformatojnë e detyrojnë të ndryshoj planet e veta. Ne promovojmë një sistem të qëndrueshëm”, tha Mullaj.