AKTUALITET, 29 Janar 2024, 17:27

Shqiptarët bëhen vetë mjekë, "mjekojnë" gripin duke kërkuar antibiotikë pa recetë

Shqiptarët bëhen vetë mjekë, "mjekojnë"

Në Gjirokastër, numri i personave të prekur nga gripi stinor vazhdon të jetë i lartë, ndërkohë që problematikë për strukturat e shëndetësisë është vetëmjekimi në kushtet e shtëpisë. Përfaqësuesit e Urdhrit të Farmacistit në Gjirokastër pohojnë se është i konsiderueshëm numri i qytetarëve që i drejtohen shërbimit farmaceutik për të marrë antibiotikë apo barna mjekësore të tjera, të cilat jepen vetëm me konsultë dhe recetë nga mjeku specialist.

“Përsa i përket antibiotikut, në asnjë mënyrë ne nuk duam që të japim dhe nuk duhet të japim, sepse rezistenca ndaj antibiotikëve është një problem i madh, jo vetëm për ne, por për gjithë Europën dhe kudo. Ne e dimë që antibiotiku, më shumë ka veprim tek bakteret, nuk ka tek viruset, kështu që është e kotë dhënia e tij. Megjithatë, ne i drejtojmë tek mjeku specialist, kur kanë më shumë simptoma, pra kur gjendja është agravuar; ka temperaturë, ka kollë, kalon në bronkite, në bronshit. Edhe njerëzit janë ndërgjegjësuar dhe drejtohen tek mjeku”,- tha Albana Braja, kryetare e Urdhrit të Farmacistit në Gjirokastër.

Në kushtet e gripit sezonal, rekomandohen medikamentet që nuk kanë efekte anësore për të sëmurët: “Tani është edhe gripi stinor dhe ne, zakonisht, në këto raste japim më shumë mjekim simptomatik; tylolhot, paracetamol, shurup për kollën”,- shton më tej Braja.

Në Gjirokastër, numërohen rreth 200 persona në ditë, një pjesë e të cilëve fëmijë, që kërkojnë ndihmën e shërbimit shëndetësor për shkak të prekjes nga gripi.