AKTUALITET, 23 Janar 2023, 16:17

Lëvizte me pistoletë në brez, arrestohet 26-vjeçari në Tiranë

Lëvizte me pistoletë në brez, arrestohet 26-vjeçari

Një 26-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi është kapur me një armë zjarri tip pistoletë.

Efektivët e forcave “Shqiponja”, ndaluan të riun me iniciale S.D. i cili lëvizte me automjet.

Gjatë kontrollit fizik, ata i gjetën 26-vjeçarit një armë zjarri pistoletë me 7 fishekë, të cilat u sekuestruan si provë materiale.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet nga Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor i koduar “Gray”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.

Arrestohet në flagrancë 26-vjeçari që qarkullonte me armë zjarri pistoletë. Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë, me krehër me 7 fishekë.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gray”. 

Gjatë operacionit, në rrugën “Petrit Radovicka”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin S. D. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur këtij shtetasi një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.    

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. D., 26 vjeç, banues në Tiranë dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.