AKTUALITET, 17 Prill 2023, 23:02

Lesi: Beteja e Tiranës është e mbyllur, Belindi luan për pasues të Berishës. Abilekaj: Këlliçi la në hije bashkitë e tjera ku PD kërkon fitoren

Lesi: Beteja e Tiranës është e mbyllur, Belindi luan për
Fotomontazh: Lesi dhe Abilekaj

Botuesi Nikollë Lesi tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se beteja për Tiranën është e mbyllur, ndërsa Belind Këlliçi po luan për të qenë në të ardhmen pasues i Berishës në krye të PD-së. Ndërsa për analistin Enton Abilekaj theksimi i Tiranës në çeljen e fushatës në "Air Albania" la në hije bashkitë e tjera ku opozita kërkon fitoren, siç është Durrësi, Elbasani, apo Shkodra.

Biseda në studio

Lesi: Belindi luan si ajo siç vinim shishen e qumështit në radhë dikur, për të qenë kryetar i PD-së, kur ta dorëzojë Berisha, sepse unë betejën e Tiranës unë shoh të mbyllur.

Ideja e Belindit për autobusin falas nuk është e keqe, por është komuniste dhe ai prek kështu taksat tona. Nëse ai do të thoshte për një kategori të caktuar, pensionistët dhe studentët që janë pa biletë, po e pranojmë. Por me këtë të gjithë do të rrinë nëpër autobusë.

Abilekaj: Do të ishte më mirë të kishte të bënte me uljen e taksave, se sa me shtimin e kontrollit të shtetit mbi veprimtarinë e qytetarëve. Një i djathtë si kandidat thotë me pak shtet dhe më pak taksa, paratë tuaja do t’i përdorni më shumë vetë se sa ne. Në vende në zhvillim si Shqipëria me korrupsion të madh, rekomandohet me shtet të dobët që taksat të jenë sa më të ulëta që ekonomia të zhvillohet vetë. Fushata e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit patjetër do të jetë prioritet i opozitës. Ata në "Air Albania" theksuan Tiranën, por lanë në hije Durrësin, Elbasanin, Shkodrën dhe opozita nuk e ka këtë luks.

Hyrja e Belindit me autobus ishte gjetje, por duhej shoqëruar me daljen në pah edhe të kandidatëve të këtyre bashkive të tjera që pretendon opozita.