AKTUALITET, 27 Gusht 2025, 10:34

Legjislatura e re/ Kuvendi ndryshon arkitekturën: 3 komisione të reja dhe më shumë hapësirë për opozitën

Legjislatura e re/ Kuvendi ndryshon arkitekturën: 3 komisione të reja

Legjislatura e 11-të e Kuvendit pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në organizimin e brendshëm. Sipas burimeve për gazetën “TemA”, puna e nisur nga një grup i drejtuar nga Eduard Shalsi ka arritur në përfundimin se Kuvendi duhet të ketë 3 komisione të përhershme shtesë, duke e bërë strukturën më të profilizuar dhe konkrete.

Komisioni aktual për Veprimtarinë Prodhuese do të ndahet në tre:

Komisioni për Energjinë
Komisioni për Infrastrukturën, Mjedisin dhe Digjitalizimin
Komisioni për Bujqësinë
Ndërkohë, Komisioni i posaçëm i drejtuar nga Fatmir Xhafaj, “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në BE”, do të kthehet në një komision të përhershëm, duke përfshirë edhe anëtarë nga opozita.

Burimet bëjnë me dije se në këtë skemë të re me gjithsej 11 komisione, pritet që 7 të drejtohen nga mazhoranca dhe 4 nga opozita. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar se cili prej komisioneve të reja do t’i kalojë opozitës.

Vendimmarrjet erdhën pas disa takimeve që Kryeministri Edi Rama zhvilloi me kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali, kryetarin e grupit socialist Niko Peleshi dhe ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.