TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në zemër të Labërisë, fshati Vajzë mirëpriti edicionin e tretë të “Vajzë Fest”, festival kulturor që zgjat tre ditë dhe mbledh qindra vizitorë, banorë të zonës dhe bij të fshatit të larguar.
Mbrëmja e parë solli rapsodë, të rinj të talentuar, këngë polifonike, valle, poezi, interpretim artistik dhe ushqime tradicionale.
Karikaturisti Bujar Kapexhiu, pjesë e festivalit me ekspozitën e tij, u shpreh se do të jetë gjithmonë pjesë e kësaj feste.
“Është hera e tretë që vij dhe ju siguroj që do të vij edhe në festivalin e 30-të”, tha Kapexhiu.
Armand Bora, regjisori, djalë i këtij fshati, organizatori i “Vajzë Fest”, falenderon ata që i bashkohen ftesës, ndërsa shkrimtari Pëllumb Kulla nxit banorët të ruajnë e të promovojnë trashëgiminë e tyre.
“Për mua është një moment shumë i bukur dhe interesat”, tha Bora.
“ E prita këtë ftesë me kënaqësi dhe gjeta kështu shumë miq”, tha Kulla.
Edhe autoritetet vendore e qendrore vlerësuan “Vajzë Fest” si një aktivitet që e kthen Selenicën në destinacion turistik.
“Ky aktivitet ka të bëjë me zhvillimin e turizmit kulturor, historik dhe natyror”, u shpreh kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj.
“Ky është festivali i 3 që organizohet dhe është një aktivitet shumë planësh që duhet përkrahur dhe të jetë shembull edhe për organizime të tjera”, tha prefekti i qarkut Vlorë, Plator Nesturi.
Mbrëmja e së dielës ka shënuar mbylljen e edicionit të tretë të “Vajzë Fest”, një aktivitet artistik mbresëlënës, që për tri ditë me radhë mbushi me këngë, valle dhe art krahinor zonën e Lumit të Vlorës.
Një edicion që i përmbushi të gjitha pritshmëritë sipas njërit prej organizatorëve regjisorit, Armand Bora. “Vendosim pritshmëritë tona, por ato janë tejkaluar. Pa dyshim falë miqve që vijnë, falë popullatës së Vajzës, por edhe të fshatrave përreth,” tha z. Bora.
Festa bëri bashkë personalitete e banorë të shumtë, të cilët vlerësuan traditën e kësaj treve dhe përcjelljen e saj brez pas brezi.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, bir i kësaj treve, thotë se vlera mbetet rrënja, e se vlerë mbi vlerë është përcjellja e kulturës e traditës së zonës ndër breza.
“Në fakt ne e bëjmë për herë të tretë. Unë ndihem shumë krenar për mënyrën sesi zhvillohen aktivitetet në Vajzë. Unë jap mbështetjen për ta, por sigurisht çdo gjë varet nga këta njerëz, që e bëjnë me shumë dashuri, me shumë përkushtim. Më habit shumë që kanë dëshirë për të dhënë kontribute, për ta bërë sa më mirë një festë të tillë,” u shpreh z. Sadushi.
Në organizim ka kontribuar edhe pushteti vendor, duke e parë aktivitetin si një vlerë të shtuar për turizmin. “Këto aktivitete që bëjmë sot nuk janë takim brezash. Janë aktivitete për të promovuar polifoninë, traditën, gastronominë, sitet arkeologjike…” tha kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj.
Banorët, të ardhur edhe nga larg, e shijuan çdo detaj të kësaj feste të bukur.
Piktura, aktrimi, muzika dhe sporti ishin pjesë e mozaikut të gjerë që e bëri këtë edicion të paharrueshëm.
Në këtë udhëtim tre-ditor, Vajza u bë altari i mallit, i historisë, i kulturës, i etnografisë, i mikpritjes dhe i dashurisë.
“Vajzë Fest 2025”, nuk u përjetua thjesht si një aktivitet, por si një rit i shenjtë i identitetit. “Vajzë Fest 2025”, është tashmë më shumë se një ngjarje, është kthimi i përvitshëm i një besëlidhjeje me rrënjët, është ftesa për ta parë vendlindjen jo vetëm si kujtim, por si skenë të shpirtit dhe krenarisë sonë kombëtare.
Ju ftojmë të ndiqni tre ditët magjike të edicionit të tretë të “Vajzë Fest 2025”, festës së traditës dhe trashëgimisë në fshatin e vogël që u bë sofra e madhe e Labërisë, por jo vetëm, e krejt Shqipërisë.