AKTUALITET, 26 Gusht 2025, 21:07

Shpërthim me lëndë plasëse në një banesë në Fushë Kuqe, policia gjen edhe disa gëzhoja

Shpërthim me lëndë plasëse në një banesë

Policia e Kurbinit ka nisur hetimet për zbardhjen e një ngjarjeje të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm (26 gusht) në fshatin Gurëz, njësia administrative Fushë Kuqe.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 04:20, në portën e jashtme të murit rrethues të banesës së shtetases M. D., e njohur dhe me emrin tjetër M. B., është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse, e dyshuar si artizanale.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë, së bashku me grupin hetimor, shkuan në vendin e ngjarjes. Nga këqyrja paraprake, u konstatua se porta e banesës ishte dëmtuar lehtë si pasojë e shpërthimit.

Gjatë kontrollit të zonës përreth, hetuesit gjetën dhe sekuestruan disa gëzhoja, në dukje të vjetra, të cilat janë marrë në cilësinë e provës materiale.