AKTUALITET, 2 Shtator 2025, 13:28

Lamtumirë Dhimitër Anagnosti! Mjeshtri i madh i kinematografisë do të prehet në Vuno të Himarës

Lamtumirë Dhimitër Anagnosti! Mjeshtri i madh i kinematografisë

Përfundojnë homazhet për mjeshtrin e madh të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti, që u mbajtën në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë. Që prej orës 10:00, aktorë, kolegë, figura të politikës dhe dashamirës të artit i dhanë lamtumirën e fundit dhe e vlerësuan për kontributin e dhënë.

Regjisori do të prehet në Vuno të Himarës, siç e ka lënë amanet. Qeveria shpalli sot 2 shtatorin ditë zie kombëtare në nder të Anagnostit. Flamuri u ul në gjysmë shtizë në institucionet shtetërore dhe publike. 

Edhe kryeministri Rama nderoi Anagnostin, të cilin e ka cilësuar si babain e kinematografisë shqiptare. Ai mori pjesë në homazhe ndërsa la edhe një shënim në librin e kujtimeve. Homazhe bëri gjithashtu edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja.

Lamtumirë Dhimitër Anagnosti! Mjeshtri i madh i kinematografisë

Për gazetarët, ministri tha se Anagnosti la pas një thesar dhe trashëgimi të çmuar.

"Ndahet fizikisht një baba i kinemasë, një korife i regjisë dhe artit por është ndarje që lë pas thesar e trashëgimi për të gjithë brezat.", u shpreh ministri Gonxhja.
Ngushëllime për ndarjen nga jeta të Anagnostit shprehu edhe kreu i PD-së, Sali Berisha, i cili shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Liri.  

“Do të mbahet mend gjithmonë në memorien e kombit,” u shpreh Berisha.
 
Aktorja Marjana Kondi, ndërsa e cilësoi si kolosin e artit shqiptar, tha se iku nga kjo botë me dinjitet.

"Profesor Anagnosti, kolosi i artit shqiptar. Kam qenë me fat që kam qenë mikja e tij. Gjithkush duhet të dijë një gjë që në këtë botë kur të shkosh duhet të shkosh me dinjitet.", tha Kondi. 
Aktori dhe regjisori Gëzim Kame tha se Anagnosti ishte "profesor i regjisurës" në të gjitha aspektet dhe se karakteret që ndërtoi janë legjendare. 

"Do të mbahet mend si një nga kineastët më të mëdhenj. Kishte inteligjencë dhe kulturë të jashtëzakonshme. Duhet të mendoheshe kur të flisje me të. Nuk ishte “diktator i së bukurës”, ai që është kërkues. Ishte këmbëngulës për të gjetur të bukurën, të mirën, të mençurën e të drejtën.”, u shpreh  Kame. 
Piktori Gazmend Leka e cilësoi si "Fellini shqiptar", duke e krahasuar me regjisorin dhe skenaristin italian Federico Fellini.

"Ishte si Fellini shqiptar”, tha Leka duke përmendur disa nga filmat që bënë bujë të Anagnostit, dhe duke shtuar se ka lënë pas gjëra të mrekullueshme.

Aktorja Marjeta Ljarja, teksa bëri homazhe në nderim të Dhimitër Anagnostit, tha se filmat që ka realizuar ai do të mbeten të paharruar.

“Filmat e tij do të jenë të paharruar. Me Rikardin ka qenë mik i veçantë. Ka bërë gjëra të bukura. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij. Nuk do të harrohet”, u shpreh ajo.

Lamtumirë Dhimitër Anagnosti! Mjeshtri i madh i kinematografisë

Shuarja e Anagnostit, i cilësuar si "babai" i kinematografisë shqiptare, lë pas një trashëgimi të vyer në artin shqiptar. Të shumtë ishin figurat publike, jo vetëm të artit por edhe politikës, që përcollën mesazhe ngushëllimi, duke vënë theksin te kontributi i jashtëzakonshëm që dha ai në artin shqiptar.

Dhimitër Anagnosti, një nga figurat më të shquara të panteonit të kinematografisë shqiptare, u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 89-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. 

I cilësuar si një prej regjisorëve më të mëdhenj të artit shqiptar, Anagnosti numëron në 'portofolin' e tij artistik 15 skenarë, 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, të realizuara gjatë karrierës 40-vjeçare. Për kontributin që ka dhënë, ai është vlerësuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.

Publiku e kujton për filmat “Komisari i dritës”, “Duel i heshtur”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Cuca e maleve”, “Malet me blerim mbuluar”,  “Gjoleka, djali i Abazit” etj, shumë prej të cilëve u shfaqën në festivale ndërkombëtare. 

Ndarja nga jeta e Dhimitër Anagnostit, mjeshtrit të madh të kinemasë shqiptare, solli reagimin e aktorëve e kolegëve, por edhe figurave të njohura të politikës. Ata ndanë kujtimet me regjisorin, ndërsa përcollën edhe mesazhe mirënjohje për trashëgiminë e jashtëzakonshme që ka lënë në kinematografinë shqiptare.