AKTUALITET, 30 Qershor 2022, 18:56

“Ky regjim rrëzohet vetëm me protesta”- Berisha sulmon Ramën: Nuk e njeh votën e lirë!

“Ky regjim rrëzohet vetëm me protesta”- Berisha sulmon

Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se protestat janë e vetmja mënyrë për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës. Gjatë fjalës së tij në një takim me gratë e LDGSH, Berisha u shpreh se opozita e merr pushtetin me votën e shqiptarëve, por duke qenë se Rama nuk e njeh votën do të bëjnë çmos që t’i shkurtojnë ditët qeverisë së tij.

“Përveç protestës, ky regjim nuk do mund të rrëzohet. Ky regjim duhet të rrëzuar, pushtetin e marrin me votën e lirë të shqiptarëve, por Rama nuk e njeh votën ndaj ne do bëjmë gjithçka ti shkurtojmë ditët në pushtetin e tij. Kjo protestë ka një rëndësi të jashtëzakonshme për shoqërinë shqiptarë, për PD dhe Shqipërinë”, tha Berisha.

Berisha tregoi gjithashtu edhe arsyen përse zgjodhi datën 7 korrik dhe jo të priste më shumë për të dalë në shesh. Arsyeja, tha Berisha, ishte që qytetarët të mos dëshpëroheshin më shumë nga keqqeverisja e Ramës. Për 7 korrikun, Berisha tha se do jetë protesta më e madhe që është organizuar ndonjëherë.

“Shpallëm datën 7 korrik si protestë kombëtare. E shpallëm këtë datë sepse konstatonim se pakënaqësia është shumë e madhe ndaj kësaj qeverie dhe në rast se do ta shtynim protestën për një kohë optimale, në fakt do thellohej dëshpërimi tek njerëzit.

Nuk e kemi të fshehur, por të hapur. Qëndrimi ynë, platforma jonë krahas parlamentit dhe formave të tjera do jetë protesta, protesta dhe vetëm protesta.

Protestën e datës 7 korrik e kemi preludin dhe do bëjmë gjithçka për një protestë më të madhen që mund të kemi organizuar. E kemi preludin e sezonit të protestave kundër regjimit monist të Edi Ramës.”-tha Berisha.