AKTUALITET, 30 Qershor 2022, 18:02

Kryemadhi: Rama ka përdorur skemën e evazionit për të blerë votat dhe çdo institucion publik

Kryemadhi: Rama ka përdorur skemën e evazionit për të

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka akuzuar në Kuvend, kryeministrin Edi Rama se ka përdorur skemën e evazionit fiskal për të blerë votat dhe çdo institucion publik.

Sipas Kryemadhit, janë 30 kompani që kanë bërë 189 milionë dollarë evazion fiskal.

Teksa po diskutohej për aktin normativ për kompensimin e kompanive të ndërtimit për rritjen e çmimeve të materialeve, Kryemadhi u shpreh se kjo është një mbulesë e asaj grope të zezë të helmatisur.

“Skema e evazionit fiskal, më vjen shumë keq për ministret, janë të detyruara ta gëlltisin këtë lugë, është skema që Rama ka përdorur jo vetëm për blerje votash, por për të blerë çdo institucion shtetëror, publik, mediatik dhe financiar. Vetëm 30 kompani janë 189 milionë dollarë. Evazion i pastër fiskal. Pa llogaritur se çfarë do të ndodhi me aktin normativ për kompanitë e rindërtimit. Ndërkohë janë përsëri që në treg do hyjnë kompani që fitojnë konçensione 300 mln euro.

Nuk ka kontroll të volumeve dhe punimeve. Të nderuar kolegë, çështja e evazionit fiskal është një situatë që është mekanizmi i një strukture kriminale të organizuar që do të shërbejë jo vetëm për pastrimin e parave të drogës. Formalizimi i tregut nis që tek oligarkët e ushqimeve. Ky akt normativ është një mbulesë e asaj grope të zezë të helmatisur dhe me sëmundje vdekjeprurëse që mund të zgjasi shumë pak, por pasojat janë të mëdha” – tha Kryemadhi.