AKTUALITET, 18 Qershor 2026, 15:07

Rikthehen tensionet në Kuvend! Opozita bllokon foltoren, Peleshi ndërpret për herë të katërt seancën

Rikthehen tensionet në Kuvend! Opozita bllokon foltoren, Peleshi

Kuvendi nuk po gjen paqe në seancën e sotme plenare, e cila që prej orës 10:00 të mëngjesit është shoqëruar me akuza, debate të forta dhe ndërprerje të përsëritura nëpërmjet bllokimit të foltores nga opozita.

Ndërsa në rend ditë janë 21 pika, parlamenti ndodhet ende në pikën e tretë, pasi ‘molla e sherrit’ është pikërisht kërkesa e opozitës për ta ndryshuar atë, ndërsa duhet të fliste ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, për konferencën e tetë ndërqeveritare Shqipëri-BE, në lidhje me procesin e integrimit të vendit.

Kryeparlamentari Peleshi është detyruar që pas rikthimit të tensioneve, ta ndërpresë për herë të katërt seancën dhe të thërrasë në një pushim 15 minutësh të deklaruar krerët e grupeve parlamentare për ta zgjidhur ngërçin e krijuar.

Ndërsa deputetët u rikthyen nga pushimi i tretë i punimeve, situata shkoi sërish në pikën fillestare.

Deputetët e PD ‘pushtuan” foltoren dhe kërkuan ndryshimine  rendit të ditës, pasi kërkojnë të flitet për protestën që vijon prej 18 ditësh në shesh nga qytetarët.

“Drejtoni ankim te Këshilli i Rregullores dhe jo në seancë. Sa bëjmë gjithë këtë diskutim do kishte ardhur radha para dy orësh. Ju lutem uluni. Ku parashikohet ndërprerja e fjalës dhe punimeve në rregullore, nuk e gjej dot, ku e bazoni këtë kërkesë absurde, ma gjeni në cilën pikë të rregullores thuhet. Do na lini të vazhdojë apo jo, se është pikë përbashkuese, interes i të gjithëve, përtej axhendës politike. Respektoni rregulloren, na lejoni të vijojmë seancën”, tha Peleshi për ligjvënësit opozitarë të rreshtuar në sallë te foltorja.

Gazment Bardhi e akuzoi se nuk po respektonte rregulloren.

“Respekto rregulloren, na lejo të flasim, zbato procedurën”, u shpreh ai mes të tjerash.

“Ju lutem, mos hyr në nevojat metabolike, nuk është puna të zgjidhet me folklor kjo punë, jo çdo gjë zgjidhet me folklor. Nuk është në dorën tuaj, nuk merret me dhunë, jo me imponim, nuk merret me imponim fjala, zbatoni rregulloren. Keni bllokuar seancën, lironi foltoren, merreni fjalën pasi të flasë ministri”.

Madje ai u tërhoqi vëmendjen kolegëve opozitarë, duke thënë se e kishin skenar bllokimin.

“Për çudi e ka bllokuar zoti Bozdo, që s’e ka për natyrë. Zoti Bozdo as ju nuk e besoni, s’e besoni që ka skenar për ta bllokuar. Mos e personalizoni seancën. Edhe në protestë ka një rend, ka një skenar, nuk merret fjala pa radhë. Zoti Bardhi nuk e kuptoni që nuk më kompleksoni dot me këto, u bënë 8 muaj, nuk më kompleksoni dot, ju lutem. Lironi foltoren”, tha kryeparlamentari.

Deputetët e opozitës vijuan ta akuzonin se ishte ai që po prishte seancën dhe nuk pranuan ta lironin foltoren.

“Je ti që po prish seancën, zbato rregulloren”, i thanë ata Peleshit.

Kryeparlamentari reagoi duke mbyllir punimet për 15 minuta:

“Ashtu… atëherë 15 minuta pushim. Ftoj kryetarët e grupeve parlamentare për të qetësuar dhe zgjidhur situatën, 15 minuta pushim, kryetarët e grupeve ju lutem për një takim të shkurtër”, tha ai duke mbyllur përkohësisht seancën.