AKTUALITET, 21 Korrik 2023, 09:34

Kuvendi miraton pas mesnate ligjin për kanabisin mjekësor, 69 vota pro dhe 23 kundër

Kuvendi miraton pas mesnate ligjin për kanabisin mjekësor, 69 vota pro

Pas seancës maratonë me debate, Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të tij për qëllime mjekësore dhe industriale”.

Ligji u miratua me 69 vota pro, 23 kundër dhe 3 abstenime. Tre deputetët që abstenuan ishin socialistët Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erjon Braçe.

Me debate në Kuvend, opozita shprehu dyshime pse projektligji u miratua me procedurë të përshpejtiuar në komisionet parlamentare nga socialistët, dhe nga ana tjetër nuk ka ndonjë studim mbi përfitimet që ka ekonomia e Shqipërisë në raport me rreziqet dhe pasojat sociale, shëndetësore dhe kriminale që sjell përdorimi i marihuanës.

Megjithatë shumica socialiste e miratoi projektligjin me votat e saj, për të ligjëruar kultivimin dhe përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale, duke përsëritur se kontrollet do të jenë të rrepta dhe mundësitë e fitimeve financiare dhe punësimi janë të mëdha.