AKTUALITET, 7 Gusht 2025, 16:44

"Kundër padrejtësisë!"/ Protestë e fuqishme në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale

"Kundër padrejtësisë!"/ Protestë e fuqishme

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë ka nisur protesta kundër Gjykatës Speciale që ka burgosur ish krerët e UÇK-së. 

Një numër i madh qytetarësh kundërshtojnë gjykimin e padrejtë të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. 

“Kundër padrejtësisë! Në mbrojtje të UÇK-së dhe së vërtetës” është motoja e protestës.

Një qytetar nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, që merr pjesë në protestën e thirrur kundër asaj që organizatorët po e quajnë padrejtësi nga Haga, u shpreh për Klan Kosova se ata duhet të lirohen sa më shpejt.

“Njerëzit që duhet të na udhëheqin ndodhen në burg. Sa më shpejt të lirohen çlirimtarët sepse ata kanë sakrifikuar çdo gjë për shqiptarët”, deklaroi qytetarja. 

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020. Ata ngarkohen për krime lufte, teksa janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023. Emisari amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell ka shprehur përkrahje për ish-presidentin, Hashim Thaçi duke e cilësuar si të turpshëm faktin që ai po mbahet ende në paraburgim. Grenell e ka quajtur Hagën si një institucion i cili nuk funksionon. Përkrahje për protestë kanë shprehur figura të ndryshme politike në vend si dhe figura fetare me ndikim në Kosovë.