TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Të varrosësh të afërmit që ndahen nga jeta ka edhe një problem më shumë se dhimbja për banorët e fshatrave Gjadër, Grash dhe Zojz në Zadrimë të Lezhë.
Sigurimi i një copë toke ku do të prehet për herë të fundit i vdekuri është bërë mision shumë i vështirë. Pasi kanë shfrytëzuar çdo hapësirë të mundshme në varrezat e Zojzit, banorët e këtyre fshatrave do të jenë të detyruar që t’i varrosin të afërmit e tyre në tokën bujqësore. Nëse nuk do të ketë zgjidhje që vijnë nga institucionet, kjo duket se do të jetë vendimi i tyre.
“Do e hap varrin në tokën time dhe do varros te shtëpia. Nuk ka rrugë tjetër sepse nuk e kanë lënë një vend kund me e fut të vdekurin. Kjo situatë vijon prej më shumë se tre vitesh dhe asnjë masë nuk është marrë. Është absurditet të mes kesh një vend për të futur të vdekurin, kjo vetëm në Shqipëri ndodh dhe askush nuk e ven ujin në zjarr”, thotë Gjovalin Hila, banor i Zojzit.
Situata e krijuar është kthyer edhe në burim konflikti dhe pazaresh mes banoreve.
“Te vendi im ka ardhur dhe është futur tjetri nga Grashi. Ishte ma i fortë se unë ai dhe ma zuri vendin, sepse pagoi lekët. Debatova shumë me të, por nuk munda t’ia dal. Kjo është një situatë e papranueshme që askush nuk po i jep zgjidhje.
Këtu nuk ka asnjë vend më, sepse është zënë e gjithë hapësira. Kanë nisur me i varros të vdekurit jashtë rrezimit para shtëpive tona. Nuk ke ku ankohesh sepse nuk do t’ia dijë njeri për këtë punë”, thotë një tjetër banor.
SITUATË KRITIKE EDHE NË QYTET
Kjo problematike është evidente prej shumë vitesh, ndërsa pavarësisht përpjekjeve, Bashkia Lezhë nuk ka arritur të gjejë zgjidhje. Tre vite më parë pushteti vendor siguroi një sipërfaqe të madhe toke në Gjadër për të bërë varrezat e reja, por duke qenë se ndodhen afër zonës ushtarake nuk është arritur të gjendet marrëveshja me ushtrinë për të bërë rrugëkalimin. Ndërkohë Bashkia e Lezhës po përballet me një situatë kritike edhe në qytet.
Prej 3 vitesh, në varrezat publike të qytetit nuk ka më vend për varre të rinj, madje janë shfrytëzuar edhe rrugicat brenda varrezave. Rritja demografike e qytetit me 5 herë më shumë pas viteve ‘90 ka sjellë edhe pamundësinë për të gjetur hapësira të reja. Situata e emergjencës për hapësira të reja në varrezat publike pranohet edhe nga Bashkia e Lezhës.
Sipas nënkryetarit të bashkisë, Ermal Pacaj, situata do të zgjidhet përfundimisht vitin që vjen, ku parashikohet të bëhen funksionale varrezat e ngritura në fshatin Gocaj.
“Me buxhetin e vitit 2022 kemi parashikuar që të investojmë atje. Do ndërtojmë urë, rrugën si dhe do bëjmë të mundur që ta çojmë nivelin e tokës e të hapim kanalet kulluese me qëllim që toka mos të përmbytet. Në këtë mënyrë merr zgjidhje njëherë e mirë problemi i varrezave dhe ato ekzistuese normalisht që do i mbyllim. Mund t’i përdorin veç ata që kanë varre familjare që i kanë gati”, sqaron nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Ermal Pacaj.