AKTUALITET, 20 Mars 2022, 16:15

Kriza e energjisë, Balluku: Do të ndërpresim ndriçimin në akset kombëtare, bashkitë të fikin dritat e panevojshme

Kriza e energjisë, Balluku: Do të ndërpresim ndriçimin

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikes, Belinda Balluku, ka treguar masat që ka ndërmarrë qeveria për menaxhimin e krizës. Ajo tha se në disa akse të vendit, do të ndërpritet ndriçimi, ndërsa kjo masë nuk prek rrethrrotullimet.

“Prej kohësh nuk kemi reshje shiu dhe kaskada ndodhet në një moment të vështirë. Duke nisur që sot importi do të jetë më i madh se prodhimi vendas. Në këtë moment në kaskadën e Drinit punojnë vetëm dy agregatë, ndërsa kërkesa është 17640 megavat orë. Një shifër shumë e lartë për sezonin krahasuar me vitet e shkuara. Duke pasur parasysh konsumin e lartë. Qeveria ka vendosur të ndërmarrë një sërë masash konsumi duke nisur nga insitucionet publike.

I kemi kërkuar ARRSH që të nis menjëherë nga puna për të bërë ndrëprerjet e ndriçimit në akset kombëtare. Do të përmend disa prej tyre: aksi Tiranë-Durrës, Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, Qafa e Kasharit-Rinas, Lin-Pogradec, Korçë-Ersekë. Do të ketë ndërprerje edhe në akset kombëtare në degëzim, siç janë Bypass i Fierit me hyrje dalje, Lezhë-Shëngjin dhe Shkodër-Hnai i Hotit. Nuk do të prekim disa pjesë të akseve që cënojnë sigurinë rrugore. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj për këtë”, tha Balluku.

Ministrja tha po ashtu se u kanë kërkuar bashkive që pas orës 00:00 të ndërpresin ndriçimin e panevojshëm në institucionet e qytetit.

“I kemi kërkuar institucioneve lokale kudo që ndodhen ato për të kufizuar të gjithë energjinë që konsumohen për ndriçimin, ato që nuk janë të domosdoshme. Duke nisur nga ora 12 e mesnatës do tu kërkohen të gjithë bashkive që të fikin ndriçimin që kanë për ndërtesa që nuk paraqesin domosdoshmëri”, deklaroi ministrja.