AKTUALITET, 10 Tetor 2022, 13:45

Kreditë me probleme ulen përsëri, 5.2% në fund të muajit gusht

Kreditë me probleme ulen përsëri, 5.2% në fund të

Raporti i kredive me probleme shënoi një tjetër ulje të lehtë në muajin gusht.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë ky raport zbriti në 5.2%, nga 5.27% që kishte qenë në muajin korrik. Shifra e gushtit shënon njëkohësisht vlerën më të ulët të këtij treguesi që prej fundit të vitit 2008, para shfaqjes së efekteve të krizës financiare.

Statistikat tregojnë se kreditë me probleme po vazhdojnë një rënie të ngadaltë edhe pasi ekonomia nisi të përballej me rritjen e shpejtë të inflacionit. Kjo tendencë u frenua përkohësisht në muajin prill, por, sipas burimeve nga sektori, kjo thyerje nuk lidhej me efekte të dukshme të inflacionit, por me keqësimin e statusit të huave të kompanive kontraktore të inceneratorëve. Pas muajit qershor, raporti i kredive me probleme iu kthye sërish rënies.

Një ndikim të konsiderueshëm në këtë rënie duket se po luan vijimësia e kreditimit me ritme të shpejta të ekonomisë edhe gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit gusht, portofoli i kredisë për ekonominë ishte në rritje vjetore me 13.7%. Ndërkohë, kredia e re e disbursuar gjatë periudhës tetëmujore u rrit me 22% dhe preku vlerën më të lartë në të paktën shtatë vitet e fundit.

Megjithëse deri tani efektet e inflacionit të lartë nuk janë shumë të dukshme në pamje të parë, bankierët mendojnë se gradualisht është e pritshme që sektori të përballet me një rritje të raportit të kredive me probleme.

Një rrezik i tillë është evidentuar edhe nga Banka e Shqipërisë, në Raportin e Stabilitetit Financiar që u publikua në muajin shtator. Sipas Bankës së Shqipërisë, zhvillimet ndërkombëtare dhe ecuria e situatës energjetike mund ta vendosin ekonominë përballë një panorame sfiduese. Mundësia që për shkak të kostove të larta të energjisë, ekonomia të ngadalësohet dhe të ardhurat e bizneseve e të familjeve të bien, duket reale.

Kjo mund të sjellë një ndikim negativ mbi cilësinë e portofolit të kredisë së bankave, ndaj Banka e Shqipërisë sugjeron se është i nevojshëm një administrim sa më i kujdesshëm i procesit të dhënies, monitorimit dhe njohjes së këtij rreziku në veprimtarinë e kreditimit, veçanërisht për ato veprimtari dhe huamarrës që kanë një përdorim të lartë të energjisë.

Në fakt, disa prej kompanive më të mëdha të industrisë së rëndë në vend, si Kurum apo Albchrome tashmë kanë ndërprerë punën, pikërisht për shkak të çmimit të lartë të energjisë elektrike.

Kreditë me probleme ulen përsëri, 5.2% në fund të

Çmimi i lartë i energjisë po bëhet sfidë edhe për shumë ndërmarrje të tjera prodhuese dhe ka sjellë rritje të ndjeshme të çmimeve në muajt e fundit, edhe në produktet e industrisë ushqimore. Përcjellja e kostove të rritura në çmime për të ruajtur marzhet po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe po ndikon në uljen e konsumit privat. Shumë shpejt, kjo situatë mund të sjellë efekte negative në bilancet e bizneseve, duke keqësuar aftësinë e tyre paguese dhe duke ndikuar edhe në një rritje të raportit të kredive me probleme./Monitor