TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

“Të gjithë në Korçë”. “Gjithçka e prenotuar, Korça plot për festa”. Janë këta disa prej titujve bombastikë që tregojnë për qytetin më të madh të juglindjes, në atmosferën e Krishtlindjeve. Nuk kanë gënjyer. Në çdo cep të zonës më të populluar të qytetit dëgjon shumicën e dialekteve të Shqipëri, shumë italisht dhe më pak anglisht dhe gregisht. Duhet të angazhohesh dy javë para që të jesh pjesë e këtij “kasti” prej dhjetëra mijëra figurantësh që zgjedhin përherë e më shumë Korçën për të fundjava dhe për festat e mëdha. Por me shumë kosto. E mbivlerësuar dhe mjerane në shërbimet që ofron dhe që si pa kuptuar të ka rrëmbyer mbi 500 euro për 2 netë qëndrimi.
Dhoma çift e hotelit, 200 metra pas Katedrales, që shkruan se daton që më 1933, kushton 80 euro dhe ditë natë i kërcasin tavanet (dyshemetë) prej druri, matanë dritares ke një depozitë 500 litroshe gazi që na ruajtë Zoti dhe mëngjesi është ai tradicionali i hoteleve shqiptare nga bregdeti në mal, që kanë mbetur te menuja mjerane e mëngjesoreve të vobekta të socializmit.
Në pazarin e rindërtuar të qytetit, një teke raki e verdhë (raki e pjekur) kushton 2.5 euro, po kaq një filxhan me verë të lirë që serviret e ngrohtë. Krenaria e këngës dhe foklorit korçar, kërnacka, te një kthinë e quajtur “Sofra” ka shijen e vështirë të një salçiçeje pule të kapur në zgarë.
Atmosfera duket elektrizuese, me shumë drita dhe dekor që plotësohet nga karuseli i madh në krahun e djathtë të Katedrales. Por darka e Krishtlindjeve është e shtrenjtë dhe po aq mjerane.
Pasi ke telefonuar pa sukses dhjetra restorante dhe vila, përfundon te “Vila 95” një ambient “dhomë e kuzhinë”, ku premtohet ushqim shumë i mirë dhe muzikë vendase. Por edhe këtu Korça nuk zhgënjen: Për 55 euro personi ushqimi është disa mesore të thjeshta dhe në fund një derr që thuhej se ishte i egër, por që duhet jetë zbutur rrugës për në qytet, një shishe verë 3-vjeçare italiane dhe pa ëmbëlsira dhe fruta në fund. Dhe e gjitha kjo brenda 4 orëve ku duhet të presësh që ushqimet të vijnë nga bodrumi, ku ndodhet kuzhina, ngjitur me tauletet.
Dhe si për ta mbyllur në mënyrë qesharake, ndërsa ke paguar për serenatën korçare, në vend të solistit, shumicën e mbrëmjes këngët e dashurisë, kurbetit dhe të parasë i interpreton me regjistrin e vajtur për lesh një emigrant që zvarrit zërin pa ngjyrë në hapësirën 60 metra të restorantit me mbi 20 e ca klientë të bezdisur.
“Qershia” mbi tortë e zhgënjimit është “arratisja” në Voskopojë. Pasi ke zgjedhur rrugën më të shkurtër, sipas këshillës së vendaliut për të shmangur trafikun (shumë njerëz janë dyndur drejt Voskopojës-thotë ai) gjendesh i futur në kurth siç janë shumica e destinacioneve të ashtuquajtura turistike në Shqipëri. Asfalti është prerë përgjatë shumicës së 22 kilometrave për të ndrequr gropat dhe ti duhet të ecësh me marsh të parë, të dredhosh në korsinë e gabuar kur s’ke makinë tjetër përballë që t’i shmangësh, të presësh me gjak të ngrirë se kur do të mbesë goma jote dëshmore në atë rrugë ku punojnë vetëm një grusht punëtorësh diku lart afër fshatit.
Vokospoja është e mjerë më 25 dhjetor 2023. Pak mbetje të pista të dëborës së rënë pak ditë më parë, shumë vila gri të gurta që janë mbaruar apo janë në proces ndërtimi, të cilat kanë zaptuar qendrën dikur të shquar.
Sot në Voskopojë grishja turistike është se “atje hahet mish shumë i mirë”, por restorantet e pakta janë plot dhe e vetmja portë që të mirëpret është Kisha e Shën Nikollës ku mund të shijosh monumentin e hershëm kishtar, afresket ende të gjalla, të ndezësh një qiri dhe të lutesh për paqe, shëndet dhe begati. Supermakinat nga “Bentley” te “Range Rover” janë rreshtuar në dy anët e rrugëve të shtruara me kalldrëme. Kanë ardhur shumë njerëz dhe të gjithë kanë përfunduar direkt të e ngrëna dhe e pira.
Ky vend i shquar 3 shekuj më parë ishte një zonë dinjitoze me deri 70 mijë banorë, ishte një qendër ekonomike e rëndësishme që influenca e saj u shtri përtej kufijve të Kryepeshkopatës së Ohrit dhe arriti deri në botën Ortodokso-Lindore të Perandorisë Otomane, kishte shtëpi botuese një spital dhe rreth 24 kisha.
Sot ka disa restorante me çmime ku lepuri i egër kushton 80 euro (edhe pse ekziston ende Moratoriumi kundër gjuetisë), gjithçka përreth është në ndërtim dhe kafshim territori prej pasunarëve të rinj që kudo shkojnë mbjellin Bathoren e radhës. Aty sot ka një info center të madhe dhe një hartë ku shpjegohet fshati si dhe selia hijerëndë e qeverisjes vendore. Por nuk janë gjetur as dy tezga të qelbura për të shitur prodhimet e zonës. Ndaj fshatarët kanë lëshuar thasët në trotuare. Diku janë rreshtuar një duzinë me burra dhe vetëm një grua, të cilës i thonë “siriane’ pse është esmere dhe shesin prodhimet me çmimet e Tiranës.
Prodhime të vërteta? Pronari i bujtinës tha se ishte ngritur herët në mëngjes që të gjente gjalpë, që e kishte porositur te një blegtor para një muaji. “Kanë therur bagëtitë idiotët dhe shkojnë të punojnë si argatë në Greqi”-thotë ai me zemërim.
-“D.m.th. bulmet vendi të mirë nuk ka?”.
-Më vjen keq, por jo- tha ai.
-Po ky që ka mbushur dyqanet dhe restorantet?
-Mos e pyet-tha ai.
Megjithatë Korça është plot. Dhe do të jetë. Turmat nisen dhe joshen nga reklama. Shumë zhgënjehen dhe s’do të kthehen më, por do të ndodhë si në shprehjen “një bie mijëra ngrihen”. Bashkë me çmimet, ndërsa imazhi i qytetit mikpritës të disa viteve më parë është rrënuar nga konsumizmi, reklamat boshe dhe mbivlerësimi-një fluskë financiare që do t’ia ndjejmë krismën më vonë, jo vetëm aty, por në çdo “zonë turistike” të Shqipërisë ende të mjerë, por kaq të shtrenjtë, ku moto është zhvatja, jo mikpritja turistike, duke mos menduar për të nesërmen.