AKTUALITET, 27 Dhjetor 2023, 18:42

Rritja e çmimeve për festa, produktet 10% më shtrenjtë në tregun e Durrësit

Rritja e çmimeve për festa, produktet 10% më shtrenjtë

Çmimet e produkteve të shportës po rriten çdo ditë e më shumë në tregun e fruta perimeve në Durrës në prag të mbrëmjes së ndërrimit të viteve. Më e papërballueshme situata mbetet për pensionistët, tryeza e të cilëve po reduktohet çdo ditë e më shumë.

“Çmimet e shikoni vetë si janë, me këtë pension që kemi ne nuk na del fare. Ai të jep një 5 mijë lekësh, ca do bësh me 5 mijë lekë”, -thotë një i moshuar. Rritja e vazhdueshme e çmimeve pranohet edhe nga tregtarët. “Që të them tamam të drejtën çmimet janë rritur dhe vijnë në ngritje tani, ne e dimë këtë. Gjithmonë te ne çmimet rriten”,  -shprehet një tregtare.

Kjo situatë sipas tyre ka futur në krizë edhe bizneset. Produktet e konsumit krahasuar me tre mujorin që lamë pas janë rritur me 10 për qind më shumë, përfshirë këtu dhe ato të importit.