TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e ditës së djeshme mori në shqyrtim aplikimin për ndryshimin e nivelit tarifor për ndërmarrjen “Ujësjellës Kanalizime Vlorë” SHA.
Nga shqyrtimi dhe vlerësimi i informacionit mbi aplikimin për ndryshimin e nivelit tarifor, Komisioni i Konkurrencës vendosi të japë disa rekomandime për Enti Rregullator të Ujit (ERRU).
Më konkretisht, Autoriteti i Konkurrencës rekomandoi që tarifat e ndryshuara, që do të miratohen nga ERRU për ndërmarrjen Ujësjellës Kanalizime Vlorë SHA, të jenë të orientuara drejt kostos së shërbimeve dhe të jenë të bazuara në parimin e mosdiskriminimit.
Gjithashtu, miratimi i ndryshimit të tarifave, të marra në shqyrtim nga KKRR (Komisioni Kombëtar Rregullator), duhet të jetë i publikuar në faqen zyrtare elektronike të ERRU.
Së fundmi, Autoriteti i Konkurrencës ka rekomanduar që të bëhen transparente në faqen zyrtare të Bashkisë Vlorë, UK Vlorë SHA seancat e zhvilluara të dëgjesës publike më palët e interesit për propozimin e ndryshimit të tarifave.
Sipas informacionit të publikuar nga Enti Rregullator i Ujit, aktualisht tarifa që paguajnë klientët familjarë të ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Vlorë, është 45 lekë për m3 në furnizimin me ujë të pijshëm dhe 15 lekë për m3 për shërbimin e largimit të ujërave të ndotura.
Deri tani, ERRU nuk ka publikuar vendim për miratimin e tarifave të reja të UK Vlorë, ndërsa nuk ka bërë publike as aplikimin me nivelin e propozuar të tarifave të reja nga ndërmarrja në fjalë./Monitor