AKTUALITET, 18 Korrik 2023, 20:22

Kontrollet me urdhër të SPAK-ut në banesat e familjarëve të Ahmetajt, paralajmërimi: Javën që vjen mund të ketë urdhër-arreste të tjera, bisedat në “BlackBerry”

Kontrollet me urdhër të SPAK-ut në banesat e familjarëve

Zbardhen të tjera detaje në lidhje me kontrollet e ushtruara sot me urdhër të SPAK në banesat e familjarëve të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Gazetari i Panorama Ervin Leka tha se gjatë kontrollit janë gjetur disa laptopë dhe telefona celularë, të cilët pritet “të zbërthehen” nga SPAK. Ai tha se javën e ardhshme mund të ketë masa të tjera sigurie, ndoshta edhe urdhër-arreste, për persona që dyshohet se janë të përfshirë në dosjen e Ahmetajt.

Gazetari shtoi mes të tjerash se SPAK ka arritur të zbulojë komunikimet në një telefon celular Blackbarry të gjetur në banesën e njërit prej familjarëve të Ahmetaj, ky dyshohet se ka biseda të shumta me pronarët e inceneratorëve, Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin. “Gjatë ditës së djeshme ka pasur një aksion për të kontrolluar banesat e Ahmetajt, të ish-bashkëjetueses, të bashkëjetueses dhe familjarëve të tij. Pritet të hapen dhe të kontrollohen disa kompjutera laptop që janë gjetur. Mëngjesin e sotëm aksioni ka nisur në zonën e Hammallajt ku është kontrolluar banesa e bashkëjetueses së Ahmetajt. Më pas ka vijuar nga BKH që kanë zhvilluar kontrolle në këto prona të Ahmetajt. SPAK ka vendosur edhe sekuestro mbi disa prona të ish-ministrit.

Ka qenë një telefon Blackbarry që është sekuestruar fillimisht, ku ka rezultuar se janë fshirë mesazhet me pronarët e inceneratorëve, por SPAK ka arritur që t’i hapë këto mesazhe. Pritet që javën që vjen të kemi edhe një aksion tjetër të SPAK me kontrolle të personave të përfshirë dhe mund të kemi edhe urdhër-arreste. Pra mund të ketë edhe masa sigurie të kërkuara nga SPAK të të firmosura nga gjykata. Nga këta celularë pritet të dalin të komunikata të tjera. Pritet që këto të ndihmojnë hetimin përsa i përket çështjes së Ahmetajt”, është shprehur Leka.