AKTUALITET, 16 Mars 2024, 12:49

Kontrollet e policisë për Eljo Haton në Tiranë/ Në makinë u gjetën armë dhe bllokues valësh

Kontrollet e policisë për Eljo Haton në Tiranë/ Në

Policia ka zbardhur detaje  të reja nga kontrollet e zhvilluara mbrëmjen e djeshme (15 mars) nga forcat RENEA në Sauk, në tentativë për të gjetur Eljo Haton, i cili njihet si “ushtari” i Ervis Martinajt.

Bëhet me dije se gjatë kontrolleve, poshtë një pallati në Sauk, policia gjeti një makinë të blinduar e cila i përket, E. N., kushëririt të Ervis Martinajt, i cili momentalisht ndodhet në qeli, për shkak të aksidentit pak muaj më parë në digën e Liqenit Artificial.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Vijon operacioni mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”.

Goditet, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, në DPPSh, dhe Komisariati i Policisë Nr. 1, një rast i armëmbajtjes pa leje.

Sekuestrohen 2 armë zjarri (një pistoletë dhe një automatik), me krehra dhe sasi municioni luftarak, si dhe një bllokues valësh, që u gjetën në një automjet të parkuar, në Sauk.

Punohet për kapjen e një 37-vjeçari, i cili dyshohet se përdorte automjetin, si dhe u referuan materialet në Prokurori, për pronarin e tij.

Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, dhe Komisariati i Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë intensifikuar kontrollet dhe si rezultat:

▪️Në rrugën “Xhabrahimi”, Sauk i Vjetër, shërbimet e Policisë, kanë gjetur në parkingun e një pallati, automjetin në pronësi të shtetasit E. N., 28 vjeç, (aktualisht ndodhet në paraburgim të IEVP 313, Tiranë), i cili dyshohet se përdorej nga shtetasi O. Gj., 37 vjeç.

Brenda automjetit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri (një pistoletë dhe një automatik), krehra dhe sasi municioni luftarak si dhe një bllokues valësh.

Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin E. N., dhe po punohet për kapjen e shtetasit O. Gj.