AKTUALITET, 7 Prill 2026, 12:38

Konferenca e Kryetarëve, PS kërkon futjen në kalendar të ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit, PD kundër: E keni hedhur në erë Kushtetutën!

Konferenca e Kryetarëve, PS kërkon futjen në kalendar të

Në Konferencën e Kryetarëve po shqyrtohet projektkalendari për punimet 13 prill deri më 30 prill. PS kërkon që në rend dite të futet dhe projektligji për disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, por kjo është kundërshtuar nga PD me argument vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi rritjen e numrit të komisioneve parlamentare.

“Me vetëdije ju e keni shkelur Kushtetutën. Dhe jo një herë, por dy herë. Me 8 me 0, Gjykata Kushtetuese ka thënë se Kryetari i Kuvendit e ka hedhur në erë Kushtetutën. Pra, Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë për shkarkimin tuaj, por ju e keni rrëzuar atë me votë politike.

Prandaj, ndryshimet e rregullores nuk janë emergjente, sepse Gjykata Kushtetuese nuk e ka zbardhur ende vendimin. Pra, nuk ka çështje urgjente për ta trajtuar. Po ju them: Gjykata Kushtetuese nuk e ka zbardhur vendimin. Prandaj, jua kërkoj me mirësjellje të bëheni garant i Kushtetutës. Parlamenti nuk mund të jetë tekë”, ka thënë Bardhi në konferencë.

Pas diskutimeve për kalendarin e seancës parlamentare, do të shqyrtohen dhe kërkesat e opozitës. Partia e Lirisë së bashku me firmat e Partisë Demokratike kërkon ngritjen e një komisioni hetimore “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar për realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore”.

Partia Demokratike gjithashtu kërkon ngritjen e një komisioni hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).