TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shoqata “Blegtorët Prodhues të Qumështit” janë mbledhur përpara Ministrisë së Bujqësisë për të protestuar për skemën kombëtare 2026.
Ministri Andis Salla sapo ka mbërritur dhe ka kërkuar të zgjedhin një përfaqësi prej 10 personash për të zhvilluar një takim me të e ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Disa nga pankartat e tyre mbajnë thirrje si “Stop importit të qumështit”, “Formalizoni tregun e bulmetit”, “Bojkotoni firmat serbe” etj.
Ankesa kryesore është në raport me skemën kombëtare të bujqësisë.
“Skema nuk na mbështet, kostot janë të larta. Skema 2026 nuk ishte ajo që u diskutua me ne. Të na subvencionohet nafta. Të rritet mbështetja për blegtorinë, të bllokohet importi që na konkurron”, është thirrja e tyre.
Subvencionimi është një nga kërkesat e tyre më të shprehura. Sipas tyre, në një takim u është premtuar subvencion më i lartë, por kjo s’është realizuar ndërsa është hequr edhe nafta pa taksa.
“Kërkojmë subvencione si gjithë rajoni. Kemi 7-8 herë më pak subvencione sesa rajoni. Me kë duhet të konkurrojmë ne?
Kërkojmë naftë pa taksa për fermerët ose të bëjë një rregullim qeveria për taksën e qarkullimit”, thonë ata duke kërkuar edhe një laborator për sigurinë e produkteve.
Aktualisht ky sektor po përballet me vështirësi për shkak të rritjes së çmimit të naftës.
“Nuk prodhohet asgjë në këtë vend me 230 lekë/naftë”, u shpreh një nga fermerët.
“Ne kemi fikur traktorët sepse nuk e mbulojmë dot naftën. Jemi në pikë të hallit. S’kemi ardhur për qejf, as për të bërë shfaqje, as për militantë të partisë”, thonë fermerët. “Duam naftë pa taksa!”
Thirrja e tyre është për kostot e ushqimit të bagëtive, karburantin, shpenzimet bazë dhe pamjaftueshmërinë e mbështetjes nga shteti.
Gjithashtu ata rendisin informalitetin dhe TVSH-në e pabarabartë si faktorë që krijojnë vështirësi për fermerët shqiptarë.
“Qeveria të ngrejë një bord për produktet e shportës sepse nuk arrijmë dot të konkurrojmë fermerin evropian ose të rajonit”, thanë fermerët.
Në rast se kërkesat e tyre nuk respektohen, fermerët thonë se reagimi i tyre do të përshkallëzojë.
“Do të dyndemi në rrugët e Tiranës me mjetet e traktorët tanë, bashkë me lopët”, thonë ata.