AKTUALITET, 26 Dhjetor 2021, 11:00

Kishte njohje me njërin nga të akuzuarit/ Zbulohet roli i Bujar Lezës në vrasjen e Behar Sofisë, si ruhej biznesmeni i ekzekutuar  

Kishte njohje me njërin nga të akuzuarit/ Zbulohet roli i Bujar

Zbulohen të tjera detaje mbi Bujar Lezën, 45-vjeçarin e arrestuar sot si bashkëpunëtor i dyshuar në ekzekutimin e biznesmenit Behar Sofia, ngjarje e ndodhur në shkurt të këtij viti.

Cili ishte roli i Bujar Lezës në krim? “News 24” raporton se shtetasi nga Larushku kishte njohje me të arrestuarin tjetër për vrasjen Leonard Xhixha. Dyshohet se Leza dhe Xhixha kanë ruajtur objektivin e sulmit Behar Sofia duke vëzhguar lëvizjet e tij. 66-vjeçari Sofia u ekzekutua mëngjesin e 25 shkurtit në kryeqytet, pranë Piramidës, një zone tejet e populluar në Tiranë.

Në videon e vrasjes vihet re që autori i krimit ecën duke çaluar teksa ndjek biznesmenin Sofia ditën e ekzekutimit. Bujar Leza do të përballet me katër vepra penale: “Vrasja me paramendim”; “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

45-vjeçarit i është komunikuar masa e sigurisë “arrest me burg” ndërkohë që ndodhej në qelinë e Fushë-Krujës për veprën dhunë në familje.