AKTUALITET, 25 Shtator 2025, 11:36

Kërkon shtyrjen/ Seanca në GJKKO për Ilir Metën, avokati i ish-Presidentit nuk do të jetë i pranishëm në seancë! Zbulohet arsyeja

Kërkon shtyrjen/ Seanca në GJKKO për Ilir Metën, avokati i

Avokati i Ilir Metës nuk do të jetë sot i pranishëm në seancë paraprake në GJKKO për ish-Presidentin ku do të merret vendimi për fatin e tij.

Në një mesazh dërguar gazetares Klodiana Lala familjarët e përfaqësuesit ligjor të Ilir Metës njoftuan se ai s’do të merrte pjesë në seancën gjyqësore pasi iu është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në Itali.

“Nuk do të jetë i pranishëm pasi është duke iu nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në Itali”, thuhet në mesazhn.

Avokati Kujtim Cakrani ka dorëzuar kërkesë për shtyrje.

Më 8 shtator, Apeli i GJKKO rrëzoi kërkesën e Metës për lirim nga burgu, duke lënë në fuqi vendimin e 13 gushtit nga Shkalla e Parë, e cila argumentoi se nuk mund të lirohej për shkak se mund të prishte provat dhe të intimidonte dëshmitarët.

Ish-Presidenti ka bërë rekurs edhe në Gjykatën e Lartë, dhe kërkesa do të shqyrtohet më 9 tetor.

GJKKO vendos sot fatin e Metës

Në GJKKO mbahet sot seanca paraprake për ish-presidentin Ilir Meta. Seanca ka nisur në orën 10:00 dhe do të drejtohet nga gjyqtarja Irena Gjoka.

Në këtë fazë, gjykata do të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim të plotë, do të kthehet për hetime shtesë në SPAK, apo hetimi do të pushohet.

SPAK ka deklaruar se gjatë hetimeve janë zbuluar skema të dyshuara korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin. Përveç Metës dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, në gjykim janë dërguar edhe tre persona të tjerë.

Hetimet ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit nisën nga SPAK në vitin 2023, duke përfshirë disa çështje të ndërlidhura: afera e CEZ-DIA, lobimi i dyshimtë i LSI-së në SHBA dhe deklarimi i pasurisë. Sipas SPAK, gjatë hetimeve janë zbuluar skema të dyshuara korrupsioni, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

Hetimet u mbyllën më 29 gusht, ndërsa Meta dhe Kryemadhi përballen me akuza për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.

Meta ndodhet në paraburgimin 313 në Tiranë prej tetorit të vitit 2024, teksa Monika Kryemadhi ka masën “detyrim paraqitje. Tre të pandehurit e tjerë ndodhen në gjendje të lirë me masa të lehta sigurie