AKTUALITET, 15 Maj 2026, 11:25

"Keni një ministre AI"/ Konferenca me Ramën, kryeministri i Estonisë: Shqipëria, aleate shumë e mirë e NATO-s! Mbështesim rrugëtimin drejt BE

"Keni një ministre AI"/ Konferenca me Ramën, kryeministri i

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama, homologu i tij estonez Kristen Michal vlerësoi angazhimin dhe kontributin e Shqipërisë në NATO.

“Shqipëria është një aleate shumë e mirë në NATO. Faleminderit për kontributin tuaj në sigurinë në rajonin baltik!”, tha ai.

Më tej, Michal inkurajoi edhe vijimësinë e rrugëtimit të Shqipërisë në BE. 

“Estonia mbështet fort zgjerimin e Bashkimit Europian. E kemi mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt BE dhe do të vazhdojmë ta bëjmë. Vazhdoni të ecni përpara me reformat. Nëse Shqipëria përmbush detyrat e saj, edhe BE do të bëjë të njëjtën gjë”, u shpreh ai.

Michal theksoi se siguria e vendeve evropiane është e ndërlidhur dhe se Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj, veçanërisht në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe sfidave të sigurisë nga Rusia.

“Objektivat e Rusisë nuk kanë ndryshuar, këtë e tregon çdo ditë me sulmet ndaj popullit ukrainas. Ne punojmë së bashku për një paqe të drejtë. Ukraina i përket familjes europiane dhe e njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë”, deklaroi ai.

Kryeministri estonez rikonfirmoi mbështetjen për zgjerimin e Bashkimit Evropian, duke vlerësuar reformat e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit dhe duke theksuar se edhe BE duhet të përmbushë angazhimet e saj ndaj vendeve aspirante.

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe teknologjik mes dy vendeve, përfshirë linjat ajrore direkte midis Talinit dhe Tiranës, si dhe zhvillimin e projekteve në fushën e digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale.

“Fluturimet e drejtpërdrejta mes Talin dhe Tiranës çelin mundësi të reja për turizmin e njerëzve dhe bizneset. Kemi shumë të përbashkëta, bashkëpunimi për çështjet digjitale dhe interesi në rritje për IA. Përvoja e Estonisë si vend digjital tregon se teknologjia redukton burokracinë dhe të përmirësojë shërbimet publike”, tha ai.

Sipas Michal, përvoja e Estonisë si një nga vendet më të avancuara në shërbimet digjitale tregon se teknologjia mund të reduktojë burokracinë dhe të përmirësojë ndjeshëm shërbimet publike.

Ai shtoi se flamuri shqiptar tashmë valëvitet në qendrën e NATO-s për mbrojtjen kibernetike në Talin, duke e cilësuar këtë si një shembull të bashkëpunimit në rritje mes dy vendeve.

Michal tha se së shpejti do të zhvillohen takime të tjera në kuadër të samitit BE–Ballkani Perëndimor, ku pritet të thellohet më tej bashkëpunimi mes Estonisë dhe Shqipërisë.

“Nisma jonë e sapo prezantuar e IA është investim i rëndësishëm në Estoni, pres me padurim të thellojmë bashkëpunimin për çështjet digjitale dhe ia.

Shqipëria ka një ministre për IA, Estonia qartësisht duhet të ecë që t’ju kapë aty. Qysh dje, flamuri shqiptar valëvitet në qendrën për mbrojtjen kibernetike të NATO-s në Talin. Bashkëpunimi ynë do bëhet dhe më i fortë. Së shpejti do takohemi në samitin e BE dhe Ballkanit Perëndimor”, theksoi ai.