AKTUALITET, 14 Maj 2026, 23:26

Shqipëria siguron finalen e “Eurovision 2026”, Alis kualifikon vendin me “Nan”

Shqipëria siguron finalen e “Eurovision 2026”, Alis kualifikon

Shqipëria është kualifikuar zyrtarisht në finalen e madhe të Eurovision Song Contest 2026, që këtë vit po zhvillohet në Vjenë.

Këngëtari shkodran Alis arriti të sigurojë një vend në natën finale falë interpretimit të baladës emocionale “Nan” në gjysmëfinalen e dytë të festivalit.

Alis përfaqësoi Shqipërinë me një performancë të ndjerë dhe të kuruar artistikisht, duke sjellë në skenën evropiane një këngë me emocion dhe mesazh të fortë. Interpretimi i tij u vlerësua nga publiku për atmosferën e krijuar dhe konceptin skenik që preku tema të ndjeshme emocionale.

Shqipëria u shpall mes vendeve finaliste gjatë leximit të rezultateve të gjysmëfinales, duke siguruar kështu pjesëmarrjen në natën e madhe finale që do të mbahet të shtunën.

Ky kualifikim përbën një tjetër sukses për Shqipërinë në Eurovision, pasi është viti i dytë radhazi që vendi arrin të shkojë në finalen e madhe të festivalit, duke konfirmuar një ecuri pozitive në skenën muzikore evropiane.

Në përfundim të televotimit dhe vlerësimit të jurive, Shqipëria u shpall mes 10 shteteve që kalojnë në Finalen e Madhe. Ata do t’u bashkohen 10 shteteve të kualifikuara nga nata e parë dhe vendeve të “Big 5” (+ shteti mikpritës).

Lista e plotë e 10 shteteve që u kualifikuan nga gjysmëfinalja e dytë:

Shqipëria – Alis – Nân

Australia – Delta Goodrem – Eclipse

Bullgaria – Dara – Bangaranga

Çekia – Daniel Zizka – CROSSROADS

Danimarka – Søren Torpegaard Lund – Før vi går hjem

Malta – AIDAN – Bella

Norvegjia – JONAS LOVV – YA YA YA

Qipro – Antigoni – Jalla

Rumania – Alexandra Căpitănescu – Choke me

Ukraina – LELÉKA – Ridnym

Tashmë sytë dhe zemrat janë drejtuar te e shtuna, ku Alis do të ngjitet sërish në skenë me shpresën, pse jo, për të sjellë trofeun e madh në Tiranë.