TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Me këngë, valle, plot gaz, hare dhe ngjyra, kështu iu urua mirëseardhja Ditës së Verës në të gjithë vendin.
Qyteti i Elbasanit mbetet kryeqendra e festimeve për Ditën e Verës, ku qe nga fillimi i javës u zhvilluan aktivitete dhe koncerte, të cilat kulmuan më 14 Mars. Banda Frymore e qytetit mbajti një paradë në sheshin kryesor të Elbasanit, ndërsa fëmijë e të rritur u bënë pjesë e aktiviteteve të shumta. Sipas traditës, amvisat elbasanase kishin përgatitur ëmbëlsirën tradicionale të kësaj feste, ballokumen, e cila gjendej në çdo stendë të panairit te kulinarisë të ngritur në qytet. Qytetarë nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, si dhe emigrantë të shumtë iu bashkuan festës në Elbasan.
Edhe në Tiranë u kremtua Dita e Verës, ku qytetarë të shumtë iu bashkuan festës së organizuar në kryeqytet. Vëmendja më e madhe në këtë ditë iu kushtua fëmijëve, të cilët vunë veroret dhe shijuan atmosferën festive të ditës që shënjon ardhjen e pranverës.
Festimet për Ditën e Verës në juglindje të vendit nisën mbrëmjen e 13 marsit, ku sipas riteve pagane u ndezën zjarre që simbolizojnë largimin e dimrit dhe ardhjen e pranverës. Festimet vijuan edhe përgjatë 14 Marsit.
Gjirokastra mirëpriti Ditën e Verës me një atmosferë të ngrohtë, duke e shndërruar Parkun Natyror të Viroit në qendrën e aktiviteteve për të gjithë të pranishmit. Festimet nisën me koncertin e fëmijëve, ndërsa panairi i ushqimeve tradicionale tërhoqi vëmendjen e vizitorëve.
Edhe në Durrës e Vlorë u mbajtën aktivitete të shumta, ku dy qytetet bregdetare janë veshur me petkat e pranverës, për të mirëpritur kështu turistë nga e gjithë bota. Me ngjyrat e pranverës, plot këngë dhe valle u kremtua Dita e Verës edhe në Lushnje e Kavajë, ku performancat artistike të fëmijëve i dhanë jetë kësaj feste.