AKTUALITET, 18 Maj 2022, 16:12

Kapet 31-vjeçari me 700 mijë euro drogë/ Si ra policia italiane në gjurmët e të riut shqiptar

Kapet 31-vjeçari me 700 mijë euro drogë/ Si ra policia italiane

Një 31-vjeçar shqiptar por banues në Altamura të Italisë, u arrestua nga policia vendase pasi u kap me 5.4 kilogramë lëndë narkotike e llojit heroinë. Operacioni u ndërmor nga Policia në bashkëpunim me Guardia di Finanza të Barit.

Gjatë kontrollit të një makine me një person në bord, efektivët e Policisë gjetën 10 pako në formë paralelepipedi me substancë, e cila pas analizave të menjëhershme rezultoi e llojit heroinë. Pas kësaj, droga u sekuestrua, ndërsa 31-vjeçari shqiptar u prangos dhe u dërgua në dispozicion të Autoritetit Gjyqësor në Bari, në pritje të njohjes së masës së sigurisë.

Dyshohet se shqiptari e kishte blerë sasinë e konsiderueshme të drogës me qëllim shpërndarjen e saj të mëtejshme në doza të vogla. Megjithatë, kjo është vetëm hipoteza paraprake, pasi do të jenë verifikimet e mëtejshme ato që do të zbulojnë rolin e vërtetë të shqiptarit.

Nga heroina e sekuestruar mund të ishin marrë më shumë se 100 mijë doza, e cila do të shitej në sheshet e trafikut të drogës, duke lejuar përfitime të paligjshme për tregtarët e drogës për mbi 700 mijë euro. Ndërkohë, Gjykata ka vërtetuar arrestimin dhe ka urdhëruar zbatimin e masës së sigurimit të arrestit në burg për të riun shqiptar.